Agim Çavdarbasha, burri që udhëtoi nëpër botë me artin e tij

12 Janar, 2020 - 6:32 pm

Agim Çavdarbasha është padyshim një prej emrave që ka shënuar artin në Kosovë.

Çavdarbasha, i lindur në Pejë ku edhe përfundoi Shkollën e Mesme të Artit, diplomohet në vitin 1969 në Beograd, në Degën e Skulpturës në Akademinë e Arteve, në klasën e profesorit Vojislav Vujisiq.

Çavdarbasha hapi ekspozitën e parë të pavarur në Galerinë e Shtëpisë së Rinisë në Beograd; mori pjesë në Simpoziumin e Skulpturës Bashkëkohore në Arangjellovac; mori Çmimin për Talente të Rinj të gazetës Borba.

Më 1970 u bë anëtar i SHAF të Kosovës dhe mori pjesë në të gjitha ekspozitat kolektive të saj. Më 1971 kreu studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve të Lubjanës, në klasën e prof. Zdenko Kalin. Ekspozoi me grupin AAF të Lubjanës në “Mestna Galerija”. Mori Çmimin e Preshernit të Universitetit të Lubjanës.

AGIM ÇAVDARBASHA / ©️📷 elizahoxha 1998

Ai mori pjesë në Bienalin IX të Aleksandrisë të Egjiptit (1972). Ekspozoi në Sallonin e Tetorit në Beograd (1973) dhe në Bienalin e Plastikës së Vogël në Murska-Sobota.

Më 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative të Prishtinës.

Më 1978, mori pjesë në Ekspozitën Arti Kosovar në Këln dhe në Paris.

Gjithashtu, mori pjesë në ekspozitat e skulpturës jugosllave në Hungari, Rumani dhe Bullgari dhe në Ekspozitën Arti Bashkëkohor Jugosllav në Australi dhe Zelandë të Re. Në këtë vit merr Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të KSA të Kosovës dhe Çmimin e Sallonit Pranveror të SHAFK, shkruan KultPlus.

Mes të tjerave, Çavdarbasha më 1986 hapi ekspozitën e pavarur në Klubin e Artistëve në Prishtinë, ndërsa më 1989 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë KO të Grozhnjanit, Kroaci.

Në vitin 1994 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt.

Më 1995, shpallë Galeri të Hapur atelienë e tij në fshatin Çagllavicë të Prishtinës, ndërsa më 1997 hapi ekspozitën e pavarur në galerinë “Dodona” të Prishtinës dhe më 1997 hap ekspozitën e pavarur tematike të portreteve në restorantin “Hani i 2 Robertëve”.

Vdiq në Prishtinë, më 20 tetor 1999. / KultPlus.com

Të ngjajshme