Agim Sulaj fton artistët nga e gjithë bota të marrin pjesë në ekspozitën “Earthquake in Albania”

5 Dhjetor, 2019 - 1:00 pm

Piktori i mirënjohur Agim Sulaj, i cili trajton shpesh në veprat e tij temën e emigrimit, ka ftuar artistë nëpër botë të marrin pjesë në një ekspozitë me temë, tërmetin në Shqipëri. Mbi 100 karikaturistë të njohur në botë, janë përgjigjur me pjesëmarrjen e tyre.

Piktori dhe karikaturisti shqiptar, Agim Sulaj, i cili në veprat e tij trajton shpesh temat shoqërore, është solidarizuar me qytetarët e prekur nga tërmeti në Shqipëri dhe ka marrë një iniciativë duke ftuar artistë nga e gjithë bota të marrin pjesë në një ekspozitë me temën “Earthquake in Albania”, për tërmetin në Shqipëri.

“Këto ditë në Shqipëri ishte një tërmet me shumë viktima dhe dëme, me mirësi ju ftoj të ndani kohën tuaj të çmuar dhe të më dërgoni një punim me këtë temë”, kështu i ka ftuar ai artistët.

Kjo ftesë është e hapur për të gjithë, si karikaturistë, ilustrues, piktorë e dizajnerë. Numri i pjesëmarrësve nuk është i limituar.

Deri më tani mbi 100 karikaturistë të njohur në botë, i janë përgjigjur ftesës për pjesëmarrje në këtë ngjarje.

Afati për dorëzimin e veprave nga artistët është i hapur deri më 6 dhjetor 2019. / KultPlus.com

Të ngjajshme