Agon dhe Armend Nimani shpërblehen me çmimin e parë për fotografinë më të mirë në promovimin e Kosovës

7 Dhjetor, 2017 - 8:15 pm

Sonte Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fotografinë dhe shkrimin më të mirë për promovimin e Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Agon Nimani dhe Armend Nimani u shpërblyen me çmimin e parë për fotografinë më të mirë në promovimin e Kosovës, kurse Armend Nimani dhe Blerand Caka u shpërblyen me çmimin e dytë në kategorinë fotografia më e mirë në promovimin e Kosovës. Kurse fotografi Ardit Qeriqi u shpërblye me çmimin e tretë të fotografisë më të mirë.

Kurse çmimi i parë për shkrimin më të mirë në promovimin e Kosovës shkoi për Artan Krasniqin, ndërsa çmimi i dytë iu nda Uran Haxhës, dhe çmimi i tretë në shkrimin më të mirë në promovimin e Kosovës shkoi për Labinot Konushefci.

Kjo garë u shpall në pjesën e dytë të muajit tetor deri në pjesën e parë të muajit nëntor, ndërsa kishte pranuar rreth 600 qind fotografi dhe dhjetëra shkrime.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli tha gjatë hapjes së kësaj ceremonie se qëllimi i kësaj ngjarje është të tregohet imazhi i vërtetë i Kosovës dhe të përmbysin imazhin e shtrembuar që është shfaqur në botë.

“Shumë vende nuk i kanë bukuritë e Kosovës, disa vende nuk i kanë pasuritë e saj. Shumë vende nuk janë të reja si Kosova, disa vende po plaken, kurse Kosova është ende e re. Ne kemi probleme me imazhin dhe tregimin për Kosoven, kemi probleme me fotografinë e drejt të Kosovës. Narracioni, fotografia për Kosovën vazhdojnë te shtrembërohen, Kosovës ia kemi borxh t’ia promovojmë bukuritë ashtu si ia ka falut Zoti. T’ia krijojmë një imazh të cilin Kosova e meriton”, tha Pacolli gjatë kësaj ceremonie.
Poashtu në kuadër të këtij evenimenti Ministria e Punëve të Jashtme lansoi edhe platformën online KosovoABC, e cila vjen në disa gjuhë të huaja dhe ka për qëllim promovimin e Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme