31 Tetor, 2018 - 9:35 pm
Gili Hoxhaj
Fakti që Agron Mulliqi shpenzon goxha kohë në galerinë e tij dhe aty shpalosë produktin final të inspirimit artistik u dëshmua sonte edhe në punimet që kishin mbushur gjithë hapësirën e Hanit të 2 Robertëve.
Ndriçimi mbi 45 pikturat e tij, e nxjerrtë në pah teknikën e veçantë që e bën lehtë të dallueshme punën e Mulliqit. Aty janë të paraqitura disa cikle të cilat nuk i largohen shumë bazës dhe asaj se çfarë e karakterizon krijimtarinë e Mulliqit.
Punimet me pak dallim nga njëra tjetra, kanë detaje të cilat të bëjnë të zhytesh në çdo vijë që ndodhet brenda kornizës. Portrete të grave stoike në qëndrim dominojnë një pjesë të punimeve të tij. Krahas tyre disa portrete paraqiten në lëvizje duke krijuar një teatër portretesh dhe duke e futur publikun në një mozaik ngjyrash. Të palodhshëm e të veçantë e cilësojnë piktorin miqtë e ata që sonte shijuan ekspozitën e tij, punën e tij tejet origjinale e unike.
Kuratori i ekspozitës, Carl Hammerdorfer, fillimisht tregoi për njoftimin e tij me punën e Agron Mulliqit tek i cili kishte gjetur atë që po kërkonte nga një artist kosovar. Mulliqin e kishte takuar para dhjetë vitesh gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ku kishte ardhur për t’i intervistuar studentët e KAEF-it ndërkohë që kishte shprehur interesimin se po kërkonte punime me më shumë ngjyrë dhe më abstrakte. Që kur këtë e kishte gjetur në punimet e piktorit Mulliqi, ai i kishte blerë disa piktura të cilat edhe sot qëndrojnë në muret e shtëpisë së tij në Amerikë.
Ai tha se Mulliqin e sheh si një përfaqësues të denjë të kulturës ballkanase dhe evropiane, ndërsa e thekson praninë që kanë gratë në punimet e tij, e që paraqiten dukshëm edhe në ekspozitë.
“Është nder që t’i them disa fjalë për shokun tim Agron Mulliqin të cilin e kam takuar dhjetë vite më parë. Tash shumë shpesh kaloj kohë me Agronin në atelienë e tij sepse është një koleksion i mrekullueshëm i eksperiencave të tij. Sonte këtu janë tri cikle dhe Agroni fillon ta pikturojë një cikël dhe pastaj ndalon së pikturuari atë cikël dhe fillon me diçka krejt ndryshe, në kërkim të inspirimit dhe kjo gjë ndonjëherë i merr më shumë se dy muaj. E shoh Agronin si një përfaqësues të denjë të kulturës ballkanase dhe evropiane. Figurat, format e ndryshme, format e portreteve gërshetohen mes vete në formën më të mirë. Më pëlqen përfaqësimi që kanë gratë në punimet e Agronit”, u shpreh Hammerdorfer në fjalën e tij.
Mulliqi tha se me kënaqësi i ishte përgjigjur kërkesës së “Hanit të 2 Robertëve” që të hapet lokacioni i ri me punimet e tij.
Ai tha se këto punime përfaqësojnë punën e tij në pesë vitet e fundit dhe vjen me ekspozitë pas gati një viti qëkur punimet e tij ishin prezantuar në Muzeun e Kosovës. Ai tregoi për KultPlus se në punimet e tij ka paraqitur një teatër të portreteve në skenë.
Artisti Burim Myftiu tha se Mulliqin e cilëson si një krijues të palodhshëm, shumë origjinal e unik. Ai tha për KultPlus se nuk ka parë që dikush të jetë kaq unik dhe folklorik e vendas në të njëjtën kohë ndërsa shtoi se arti i tij është një gjuhë universale mirëpo me fjalë shqipe.
“Agroni është një prej krijuesve shumë origjinal dhe unik me mënyrën se si shprehet në veprat e tij. Unë e njoh Agronin shumë mirë sepse e kam mik që prej 20 vitesh, punimet e tij dekorojnë shtëpinë time, kam mjaft punime të tij në koleksionin tim. Agroni është një krijues i palodhshëm, kur them i palodhshëm e them se është aq produktiv sa që unë nuk di se cili piktor është më aktiv se Agroni. Ai është një krijues që në surealizmin e tij ka një identitet dhe karakter, mund ta shikosh një vepër dhe mund ta dallosh që është e Agronit”, u shpreh Myftiu për KultPlus.
Piktorja Bardha Buza tha se Agron Mulliqi është një nga piktorët më të veçantë në mesin e artistëve të tjerë e këtë veçanti e shpreh si në ngjyra, ashtu dhe në teknika të tjera.
“Agroni është i veçantë me punën dhe teknikën e tij sepse përfshin edhe etnologjinë dhe ke simbole shqiptare e autoktone prandaj në stil është shumë i veçantë në mesin e artistëve të tjerë. E ka veçantinë e tij si në punimet me ngjyrë dhe në të tjerat. Agroni është një artist shumë i mirë që punon pa pushuar”, u shpreh Buza për KultPlus.
Piktori Agron Mulliqi numëron një numër të madh paraqitjesh të ekspozitave personale e kolektive. Punimet e tij janë paraqitur në Kosovë dhe jashtë saj.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një muaj në “Hanin e 2 Robertëve”./ KultPlus.com