‘Ajo që ia thotë këngës…’ me trashëgiminë dhe traditën në fokus

24 Janar, 2025 - 11:26 pm

Flonja Haxhaj

Dje, Galeria Kombëtare e Kosovës hapi dyert për Ekspozitën e 17-të Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës Gjon Mili, e cila këtë vit mban titullin “Ajo që ia thotë këngës…”. Kuratorja Valentine Umansky, ka sjellë një përzgjedhje të veprave nga 23 artistë, kryesisht nga Ballkani, që eksplorojnë lidhjen mes traditës, gjinive dhe artit bashkëkohor, shkruan KultPlus.

Koncepti qendror i ekspozitës është frymëzuar nga tradita muzikore e tepsisë, një praktikë e vjetër nga Kosova e zhvilluar kryesisht nga gratë. Kjo formë unike artistike kombinon meloditë vokale me tingujt ritmikë të krijuar nga rrotullimi i një tepsie. Në ekspozitë, tepsia e cila është vendosur në hapësirën kryesore të katit të parë të galerisë, përfaqëson një metaforë për gjestet e trashëguara mes brezave, të cilat lidhin të kaluarën me të tashmen.

Duke u përqendruar në figurën e një këngëtareje të panjohur, ekspozita hulumton traditat gjinore dhe sesi ato vazhdimisht sfidohen dhe transformohen. Këtu, artistët përmes mediumeve si fotografia, imazhet lëvizëse dhe praktikat zanore krijojnë lidhje të reja mes narrativave tradicionale dhe bashkëkohore.

Ekspozita paraqet vepra nga një gamë e gjerë artistësh, përfshirë Ivana Basić, Kristina Benjocki, Semâ Bekirović, Angela Blažanović, Željka Blakšić, Vera Hadzhiyska, Majlinda Hoxha, Astrit Ismaili, Saodat Ismailova, Šejla Kamerić, Lebohang Kganye, Ana Likar, Glorija Lizde, Maria Mavropoulou, Klodiana Millona & Endi Tupja, Joanna Piotrowska, Stanislava Pinchuk, Iva Radivojević, Lala Raščić, Simon Shiroka, Huda Takriti, dhe Clarissa Tossin. Secila prej këtyre veprave reflekton të kaluarën dhe të tashmen, duke ofruar një vështrim të freskët mbi traditat dhe sfidat që ato mbartin.

Ekspozita gjithashtu i bën homazh filmbërëses së njohur Trinh T. Minh-ha, e cila në veprën e saj “Grua, Vendase, Tjetra” thekson figurat si diseuse – të tregimtares, gruas griotte apo fallxhores – si bartëse të së vërtetës. Në këtë frymë, veprat në ekspozitë ftojnë publikun të lidhet me rrëfimet e paraardhësve të cilat shpesh herë kanë mbetur të pathëna.

Kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj, thotë se edicioni i sivjetmë i kësaj ekspozite vjen me ndryshime dhe me përfshirje të gjinive të reja të artit.

“Ediconi i 17-të i Ekzpozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Gjon Mili, vjen këtë herë në galeri me imazhe dhe një qasje ndryshe e të re sa i përket strukturës, rolit, rëndësisë dhe kritereve që ekspozita ka pasur si e tillë ndër vite. Me rastin e rikthimit të kësaj bienale, e kemi menduar rëndësinë e përfshirjes së zgjerimit të idesë dhe konceptit të fotografisë pasi që vetë Gjon Mili në veprat e tij ka punuar, kështu që pra këtë vit prezantojmë një numër të madh videosh, të cilat nga ana e produksionit ka qenë një sfidë e re, por po ashtu edhe një moment i mirë që t’i testojmë limitet tona”, theksoi Halilaj për KultPlus.

Pjesëmarrëse në këtë ekspozitë ishte edhe artistja nga Uzbekistani, Saodat Ismailova, e cila nëpërmjet veprës ‘Letrat’, kombinon portretet e familjes së saj me dorëshkrimet e tyre.

“Një pjesë të punës time, në një periudhë të caktuar e kam bazuar në historinë familjare dhe më së shumti duke u inspiruar nga gjyshja ime. Shumë narrativa që shpërfaqen dhe bëhen pjesë e historisë, nuk i referohen gjithmonë historisë, rrëfimit dhe eksperiencës dhe kjo më nxiti më shumë  që të punoj bazuar në historitë e njerëze dhe atë të familjes time. Kjo ekspozitë eksploron pasionin e kujtimeve. Është po ashtu një koncentrim i bukur në instrumentin tradicional të tepsisë në këtë regjion, praktikë me të cilin lidhet gruaja”, u shpreh Ismailova për KultPlus.

Ndërkaq, ju kujtojmë ekspozita “Ajo që ia thotë këngës…” do të jetë e hapur për publikun deri në fund të muajit, duke ofruar një mundësi të rrallë për të eksploruar artin dhe historitë që i lidhin brezat./KultPlus.com

Të ngjajshme