10 Tetor, 2020 - 6:02 pm
Një grup prej 60 akademish evropiane kanë bashkuar forcat në luftë për lirinë në art, sipas një manifesti të botuar sot në Berlin.
“Në disa vende europiane, aktualisht, po përjetojmë politika kulturore që kufizojnë artet dhe kulturën vetëm sipas një kuptimi kombëtar, duke i rregulluar ato gjithnjë e më shumë”, shkruhet në manifestin e përbashkët.
“Autonomia e shumë akademive, muzeve dhe institucioneve kulturore është në rrezik. Artet dhe kultura janë thelbësore për një demokraci funksionuese dhe kohezion shoqëror”, deklaruan akademitë, transmeton KultPlus.
Aleanca e akademive theksoi se ata donin t’i diskutonin zhvillimet kulturore dhe politike së bashku me artistë dhe institucione të tjera, për të ruajtur hapësirat për shprehjen artistike dhe lirinë e fjalës.
Njoftimi pason një takim të përfaqësuesve të akademive europiane, i thirrur të enjten nga Akademia Gjermane e Arteve në Berlin. / KultPlus.com