14 Shtator, 2020 - 10:58 am
Suada Qorraj
Ditët e para të muajit mars të këtij viti shënuan një kthesë të pamenduar në jetën e secilit. Izolimi që zgjati pothuajse tre muaj, vuri në pah shumë nga veset, virtytet, por edhe talentet që rutina e përditshme pak nga pak i kishte zbehur. Ishte pikërisht kjo periudhë kur Vesë Neziri zbuloi dëshirën e saj të madhe për të bërë punimin e bizhuterive me rruaza shumëngjyrëshe, shkruan KultPlus.
Njëzet vjeçarja nga qyteti i Ferizajit, që vitet e para të studimeve i kaloi larg atdheut, ndonëse për karrierën e saj kishte zgjedhur diçka tjetër, ajo morri me vete pasionin e madh që kishte për muzikën dhe krijimin artistik. Pasion ky që pas kthimit në rrugët e shtëpisë, filloi dita ditës të bëhej më i rëndësishëm.
Në një intervistë për KultPlus Neziri ka treguar se gjendja jo e mirë emocionale në të cilën ajo gjendej gjatë fillimit të muajit mars, e kishe shtyrë që të rrëmonte në gjësendet e vjetra që kishte në shtëpi, e kësisoj të ndeshej me rruaza e mjete të tjera punëdoreje. Puna që sipas saj fillimisht kishte filluar ‘kot’, e dërguan atë në punimin e vathëve që në dukje të parë ishin mjaft elegant.
“Izolimi që nga marsi në shtëpi solli një gjendje jo të mirë emocionale. Kjo më shtyu të rrëmoja nëpër shtëpi dhe gjeta kutinë e lodrave kur kam qenë e vogël, ku kishte rruaza të ndryshme. Fillova të punoj kot pa asnjë plan dhe përfundova një palë vathë shumë të thjeshtë por që më dukeshin elegant. Të njëjtën javë, gjatë një vizitë te tezja i rregullova asaj disa bizhuteri që i ishin prishur, dhe kështu më erdhi frymëzimi të hap një dyqan online”,ka deklaruar ajo.
Me motivin për të vazhduar më tutje me artin që tashmë kishte filluar të krijonte, Neziri filloi të shfrytëzonte rrjetet sociale për të mësuar teknika të ndryshme për krijimin e bizhuterive. Meqenëse një pjesë e madhe e gjësendeve pas kthimit në atdhe i kishin mbetur në Bullgari, ajo krijoj koleksion shumëngjyrësh të bizhuterive që ëndërronte ta kishte.
“Pasi pashë ca video në platformën YouTube mësova teknika të ndryshme të artit të bizhuterive punëdore, dhe meqenëse të gjitha bizhuteritë e mija i kisha lënë në Bullgari pas kthimit në Kosovë gjatë pandemisë, fillova të krijoj dizajne që do të më pëlqente t’i kisha. Përfundova me një koleksion interesant dhe plot ngjyra”, ka pohuar njëzet vjeçarja.
Krahas ngjyrave të shumëllojshme, bizhuteritë që deri më tani ka krijuar Neziri kanë një element shumë të veçantë, shumëllojshmërinë e formave, që si motiv kanë pemët e ndryshme. Në profilin e saj në Instagram me pseudonimin ‘Kokoveza’ , ajo ka publikuar fotot e vathëve me formë qershie, dredhëze e rrushi.
Vesë Neziri ka shtuar se duke qenë se ajo është një përdoruese e madhe e platformës Pinterest, ajo kishte parë që në trend këtë vitin ishin aksesorët me formën e qershisë dhe kësisoj aj krijoj vath me një laramani frutash.
“Shpesh përdor platformën Pinterest për tu frymëzuar se si të stiloj veshjet apo flokët, dhe këtë vit dukej se ishin në trend bizhuteritë me rruaza. Por kryesonin varëset e qafës me qershi dhe mendova se mund të bëj diçka më ndryshe duke krijuar vathë me një larmi frutash pasi që vathët janë aksesorët e mi të preferuar”, ka vazhduar rrëfimin Neziri.
Por, ajo se çka bie më shumë në sy në profilin e saj në Instagram janë një palë vath të cilët kanë formën e hartës së Kosovës dhe janë me ngjyrat e flamurit kombëtar, kuq e zi. Neziri ka thënë se ideja për dizajnimin e këtyre vathëve ka ardhur pas postimeve që janë bërë për vendosjen e Kosovës në hartën e Apple. Për artisten ishte kjo mënyra e saj për të lobuar për këtë çështje, kurse sa i përket të kuqes dhe të zezës që janë pjesë e këtyre vathëve, ajo ka thënë se simbolizojnë faktin që Kosova nuk është pjesë e Serbisë.
“Kur Dua Lipa ka postuar foton ‘autochthonous’, pas disa ditësh ka shpërthyer në Kosovë edhe peticioni për vendosjen e kufijve të Kosovës në hartën e Apple. Duke menduar se çfarë mund të bëjë unë rreth kësaj, fillova t’i bëjë vathët në formën e hartës së Kosovës. Kurse arsyeja se pse kam përdorur ngjyrat kuq e zi është të simbolizoj faktin që Kosova është Shqipëri dhe jo Serbi”, ka thënë Vesë Neziri.
Për artisten krijim i këtyre bizhuterive sillte lumturi, për të cilën në fillim ajo nuk kishte plane për ta zhvilluar jashtë katër mureve të dhomë së saj, por kur ajo filloi t’i postonte fotot në rrjetet sociale njerëzit filluan të tregonin interes dhe pëlqim për punën e saj.
Ajo ka rrëfyer se njëra nga vështirësitë më të mëdha në rrugëtimin e saj të ri, ka qenë sigurimi i mjeteve të punës, ngase në dyqanet e vendit tonë nuk kanë një lloj-llojshmëri të mjeteve që artistes i duhen.
“Vështirësia më e madhe të cilën kam hasur është gjetja e mjeteve të punës. Të gjitha dyqanet e rruazave dhe mjeteve për punëdore kanë pothuajse të njëjtat materiale, dhe një lloj-llojshmëri jo të kënaqshme të tyre. Shpesh jam matur të porosis materialet nga ndonjë dyqan online, por fatkeqësisht jo shumë bëjnë dërgesa për në Kosovë”, ka deklaruar Neziri për KultPlus.
Neziri ka shtuar se puna e saj deri më tani nuk i ka kaluar kufijtë e Kosovës, ani pse ka pasur një numër të madh të njerëzve jashtë kufijve që kanë shprehur interesimin e tyre. Ajo ka treguar se deri në përfundimin e studimeve puna e saj do të mbetet brenda kornizave të një biznesi të vogël mirëpo nëse interesimi i njerëzve vazhdon të rritet, ajo mund edhe ta zhvilloj më tepër. Neziri ka bërë të ditur se tashmë ka filluar të punoj në një koleksion të ri të bizhuterive, si dhe faktin që tashmë po bënë përpjekje për të mundësuar dërgimin e kërkesave internacionale.
Krejt në fund ajo ka shpjeguar se pse faqja e saj në Instagram mbanë emrin ‘Kokoveza’, dhe cila është lidhja e këtij emrin me logon që figurë qëndrore e ka zogun.
“Duke qenë se emri im është Vesë, çdo herë më kanë ngacmuar duke më thirrur veza, por kohëve të fundit një miku i imi filloi të më quante ‘kokovezë’. Duke qenë se më ka pëlqyer si nofkë dhe tashmë logoja e punës sime përmbante zog në të, mendova që ishte përshtatja e duhur”, ka përfunduar kështu intervistën Vesë Neziri./ KultPlus.com