31 Dhjetor, 2018 - 10:00 pm
Arbër Selmani
Nuk ka muaj të vitit që Alban Muja nuk është i pranishëm në ndonjë ekspozitë nëpër Evropë, e shpesh edhe jashtë saj. Nëse jo ai fizikisht i pranishëm, puna e tij është e ekspozuar në galeri arti, në muze, në ekspozita kolektive e shpeshherë personale. Artist i njohur nga Kosova por një shpirt artistik që i përket botës, Alban Muja këtë vit është përzgjedhur për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Venecias, për 2019-tën. Në këtë intervistë të fundvitit, Albani na tregon më shumë për këtë paraqitje të rëndësishme artistike, për karrierën e tij, për artin në Kosovë por edhe për Fakultetin e Arteve – institucionin ku edhe vetë ka ligjëruar për një kohë. Djali që krijoi “Palestinën” dhe “Tibetin”, dhe punët tjera artistike që janë shfaqur në Kosovë e jashtë saj, zbulon më shumë në këtë intervistë për KultPlus.
KultPlus: Po e nisim me atë se çka po bën momentalisht Albani? Ku është arti i Albanit, si dhe inspirimi brenda kokës së Albanit, kah anon?
Alban Muja: Ka një kohë që jam në Paris, dhe këto ditë janë të fundit të një projekti që po e bëj këtu. Jam në një institucion që pret shumë artistë të mediumeve të ndryshme nga mbarë bota për residenca dhe çmime të ndryshme artistike. Është ‘Cite International des Arts’, institucioni kryesor për residenca artistësh në Francë dhe ndër institucionet më të mëdha në botë për residenca. Unë jam këtu pas një nominimi nga dy kuratorë francezë nga Muzeu i Artit Modern i qytetit të Parisit, Odile Burluraux dhe Jessica Castex, të cilat vitin e kaluar kishin bërë një udhëtim dhe kanë takuar artistët nga rajoni dhe kishte ardhë kësisoj edhe nominimi i tyre me emrin tim.
Nominimi ishte siguruar për një listë të gjerë artistësh. Pastaj komiteti i ‘Cite International des Arts’ më kanë zgjedhur mua dhe disa artistë nga vendet e ndryshme të botës për këtë residencë e cila në rastin tim është përkrahur edhe nga Ambasada Franceze në Prishtinë.
Pra nga nominimi e deri tek këto ditët e fundit në Paris është një projekt i tërë francez ku përfshin edhe një projekt timin që është në realizim e sipër në bashkëpunim me artistët tjerë në residencë. Por ajo çka është më e mira, jemi duke diskutuar se si një program i tillë me ju nda më shpesh artistëve nga Kosova, pasi këtu në ‘Cite’ shumica e shteteve por edhe institucionet e artit kanë studiot e veta ku i dërgojnë artistët, gjë që shpresojmë që në një të ardhmë të afërt, ku edhe jemi duke punuar në këtë drejtim, të ndodhë që edhe artistët kosovarë të kenë një studio të veten dhe të kenë mundësi që të kalojnë në Paris disa muaj kohë si formë e studimit dhe hulumtimit të ndonjë projekti që ata propozojnë.
KultPlus: Këtë vit, një ndër sukseset më të mëdha tuat është përzgjedhja të përfaqësosh Kosovën në Bienalen e Venecias? Na trego më shumë çka do të ndodhë, me çka do të paraqitesh atje dhe sa ka rëndësi kjo arritje për karrierën e Albanit?
Alban Muja: Padyshim, nominimi im për ta krijuar Pavijonin e Kosovës në Biennalen e 58-të të Venedikut është një privilegj por edhe përgjegjësi e madhe, pasi siç e dimë Bienalja e Venedikut është eventi më i rëndësishëm i artit në botë, ndoshta edhe i kulturës në përgjithësi. Çdo artist e pret këtë rast, pasi është eventi i vetëm kur artisti nuk e prezanton vetëm emrin e tij por edhe shtetin nga vjen. Si i tillë, ky moment e shton edhe më shumë peshën dhe përgjegjësinë që të kemi një prezantim sa më dinjitoz. Mos të harrojmë se shteti ynë është një shtet i ri dhe i vogël, shumë shpesh edhe i kontestuar, dhe kjo më bën edhe më të përgjegjshëm që prezantimi im, përkatësisht i Kosovës të jetë në nivel. Gjithsesi, kur i shtohet këtu edhe fakti që prezantimet paraprake të Kosovës kanë qenë mjaft dinjitoze, shpresojmë edhe ne të vazhdojmë me suksese!
Sa i përket projektit, së bashku me ekipën e Pavijonit jemi ende në proces e sipër. Por ajo çka kemi kujdes, së bashku me Arta Aganin, e cila është komisionere e pavijonit, është të bëjmë një ekipë sa më profesionale dhe në ekipë kemi ftuar si kurator Vincent Honore, një kurator i rëndësishëm në skenën e artit botëror që të kurojë pavijon tonë. Honore me eksperiencën që ka në disa prej institucioneve më të rëndësishme të artit në Europë, si në ‘Palais de Tokyo’ në Paris dhe ‘Tate Modern’ në Londër, së bashku me asistenten e tij Anya Harrison, po ashtu kuratore e angazhuar mjaft, ndër të fundit angazhimi i saj dhe i kuratorit Honore në MoCo (Montepellier Contemporary), do të ndihmojnë që Pavijoni të marrë formën e duhur. Por sikur thashë më parë, ne si shtet i vogël dhe i ri gjithsesi duhet të fokusohemi t’i tregojmë botës së artit të kaluarën tonë duke mos dashur ta ekzagjërojmë por asnjëhërë duke e fshehur të kaluarën dhe rrugën tonë deri tek ky prezantim i yni që vjen pikërisht njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës.
KultPlus: Meqë po flasim për një paraqitje ndërkombëtare, a është arti kosovar sipas teje një promoter i mirë në diplomacinë kulturore?
Alban Muja: Artistët vizuel në Kosovë që nga koha e okupimit kanë qenë mjaft aktivë në skenën e artit bashëkohor botëror dhe besoj me të drejtë mund të quhen promoterë të fortë në diplomacinë kulturore. Gjithsesi edhe artet tjera kanë një ngritje të mirë viteve të fundit dhe besoj që ajo po shihet edhe me prezencën e artistëve kosovarë në eventet më të rëndësishme sot të artit dhe kulturës së botës. Shpesh, nëse flasim për artet vizuele, ndoshta nuk komunikon me masën gjithmonë, por kanë një komunikim me një skenë të rëndësishme që nuk është vetëm e artit. Unë ende besoj që nuk ka promoter më të mirë për një shtet se arti dhe kultura, pa harru edhe sportin, andaj përkrahja duhet të vijë jo gjithmonë vetëm nga fondet publike, por edhe nga ato private pasi besoj që edhe ata duhet të jenë konsumues dhë përkrahës të rregullt të artit.
KultPlus: Sa ka marrë mbështetje Albani nga institucionet shtetërore për Bienalen e Venecias, duke marrë parasysh përmasat e Bienales?
Alban Muja: Gjithsesi, pjesëmarrja e Kosovës që nga aplikimi deri te sigurimi i hapësirës që është një punë shumë, shumë e madhe, është shtetërore, pasi siç e përmenda është eventi i vetëm i këtij lloji ku nuk prezantohet vetëm artisti por edhe shteti. Andaj sikur edhe aplikimi dhe konfirmimi për pjesëmarrje por edhe buxheti kryesor vjen nga Ministria e Kulturës. Mund të them që nga nominimi im kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë si me ministrin Kujtim Gashi edhe me Ministrinë në përgjithësi. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të kemi përkrahje edhe nga institucionet tjera si ato shtetërore dhe private, e që besoj do të kemi, por barrën kryesore në të gjitha shtetet sikurse edhe te ne e mbanë Ministria e Kulturës, që nga inicimi i pjesëmarrjes së Kosovës, në atë kohë në vitin 2013 nga Memli Krasniqi, që ishte një vendim shumë i mirë dhe i mirëpritur nga artistët në përgjithësi. Nuk ka event më të madh të artit në botë, për të promovuar artin dhe kulturën e një shteti, e kjo neve na duhet më së shumti.
KultPlus: Dihet se Bienalja është edhe garuese. Pretendon Albani ta krijojë një Pavijon që mund të ketë vëmendjen dhe sytë e kritikëve?
Alban Muja: Ajo çka po provojmë së bashku me ekipin është që të kemi një prezantim sa më dinjitoz, besoj ajo kërkohet nga ne dhe ky është fokusi ynë kryesor. Ne jemi të vetëdijshëm që të gjitha shtetet, madje ato shtete që kanë buxhet milonësh, dërgojnë artistët apo projektet më të mira që kanë për momentin. Andaj duke qenë të vetëdijshëm për këtë, nuk është që kam menduar shumë në këtë drejtim, pasi është mirë të jemi realist dhe të fokusohemi në atë çka mundemi dhe kemi mundësi t’i sjellim ne botës së artit. Dhe ky është qëllimi ynë i vetëm, pra të sjellim para audiencës së madhe dhe kritikëve një prezantim sa më të mirë, të një projekti që do flasë kryekëput për rrugën tonë si vend dhe si popull deri më tani.
KultPlus: Si artist tash e disa vite aktiv brenda e jashtë Kosovës, ku e sheh sot artin kosovar? Ku janë problemet dhe përparësitë në fushën e artit dhe kulturës në Kosovë?
Alban Muja: Besoj që artet vizuele në Kosovë, sidomos artistët i kanë paraprirë zhvillimeve në përgjithësi në Kosovë me prezencën e tyre në skenën e artit botëror, andaj shpesh skena e artit e Kosovës edhe pse e vogël ka pasur një rëndësi të veçantë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, nëse shohim kushtet por edhe problemet në përgjithësi, që nga edukimi por edhe konsumimi i artit në vendin tonë. Edukimi në art në përgjithësi duhet të jetë shtylla kryesore, gjë që nuk ka ndodhë deri më tash mjaftueshëm, edhe pse besoj që ka iniciativa, si ato nga individë tek institucionet publike por edhe te institucionet private të edukimit.
Besoj që në të ardhmen duhet patjetër të fokusohemi te edukimi, pastaj investimi më i madh në burime njerëzore e deri te hapësirat e artit si ato publike por edhe ato private. Patjetër që vendit tonë i duhet në të ardhmen e afërt një Muze Arti, modern dhe bashkëkohor, pasi ka çka të tregohet, por para se një gjë e tillë të ndodhë duhet investime tek të rinjtë, pasi siç e dimë vendit tonë i mungojnë disa hallka të artit, përveç artistëve. Që nga kritikët dhe historianët e artit, besoj që duhet investim në të ardhmen e deri tek galeritë komerciale dhe koleksionistët, gjë që nëpër vendet tjera nuk mungojnë. Ne fatkeqësisht thuajse nuk kemi ose kemi shumë pak kritikë apo historianë të artit, asnjë kurator që ka këtë punë primare, dhe tregu i artit thuajse është inekzistent. Për të gjitha këto, përveç edukimit, ne nuk duhet të presim që çdo herë të inicohet nga fondet publike por edhe me iniciativë private.
KultPlus: Cilët janë artistët e preferuar të Albanit, në fushën e artit pamor?
Alban Muja: Shpesh mendoj se kush janë artistët që unë i pëlqej, ka shumë, por më shumë ka vepra, andaj është e vështirë të them emra, pasi jam i sigurtë që do harroj shumë. Por ajo çka shpesh shoh në hapësira ekspozuese janë veprat, pasi jo çdo vepër e ndonjë artisti të preferuar mund të më pëlqejë. Zakonisht më pëlqejnë ato vepra tek të cilat nuk përfundon diskutimi aty brenda hapësirës ekspozuese apo ato vepra që ‘marrin’ me vete çdo gjë për disa sekonda. Arti ka ndryshu, siç ka ndryshu edhe qasja ndaj artistëve andaj vepra nuk duhet të jetë komforte por të ngritë debat për fenomene të ndryshme shoqërore.
KultPlus: Para se të përfundojmë, një pyetje rreth Fakultetit të Arteve në Kosovë, ku keni dhënë mësim… A është ky Fakultet në nivelin e duhur, meqë shpesh është objekt i sulmeve të ndryshme nga qarqet akademike dhe artistike.
Alban Muja: Thënë të drejtën ka një kohë që nuk kam folë e nuk kam dashtë të merrem me Fakultetin e Arteve, pasi që nuk ka ndryshuar mendimi im sikur atëherë kur kam punuar për dy vite në këtë institucion, madje ku edhe e pata bashkëinicu dhe e kam shkruar vetë një program të ri që sot çka e di vazhdon të ecë disi.
Mendimi im është dhe sot pak a shumë i njëjtë: Fakultetit të Arteve i cili është institucion publik dhe paguhet me taksat tona, i duhet një reformim total. Atëherë pata thënë që ndoshta duhet me e mbyllë për një kohë deri sa të rishikohen disa gjëra, sidomos programet dhe stafi, tash po provoj me qenë më i butë dhe po them i duhet reformim, me të vetmin qëllim që mos të marrim gjeneratat e reja në qafë. Nuk them që nuk ka pasur iniciativa, por problemi është i thellë pasi shpesh lëndët janë ndërtuar për profesorët dhe jo për studentët dhe të tilla raste janë shumë. E di që ka një udhëheqje të re që një kohë dhe e di që është tentuar për një reformim, por një gjë e tillë nuk e di a ka ndodhur, pasi problemi është i grumbulluar në dy dekadat e fundit, së paku. Duhet të rishikohen programet dhe stafi akademik, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, besoj që është e vështirë për të ndryshuar pozitivisht. Gjithsesi, besoj në gjeneratat e reja që një ditë do të ngrisin zërin në këtë drejtim.
KultPlus: Dhe për fund, planet e Albanit për vitin e ardhshëm, pos Bienales?
Alban Muja: Gjithsesi angazhimi kryesor për momentin dhe deri sa të hapet Bienalja e Venedikut në muajin Maj, është projekti për këtë ekspozitë. Ka disa oferta dhe propozime sikurse edhe disa ekspozita, por të gjitha do shqyrtohen dhe do vlerësohen pas Biennales pasi si natyrë pune e kam pasur çdo herë problem me kry një punë të dytë para të parës, përveç pjesëmarrjes në disa ekspozita me vepra të punuara më herët. Gjithsesi, besoj dhe shpresoj që angazhimet nuk do të ndalen, pasi ka disa projekte të reja që i kam punuar dhe që besoj që duhet ekspozuar apo ndarë me publikun.
Urime Viti i ri 2019.