11 Shtator, 2017 - 8:52 pm
Është hapur kësisoj ekspozita “Migrations of Fear”, në Plovdiv të Bullgarisë.
Artisti kosovar Alban Muja është një ndër pjesëmarrësit e kësaj ekspozite, e cila u hap të enjten.
Në ekspozitën “Migrimet e frikës”, Muja ka zgjedhur të fotografojë ndërtesat e braktisura të kufirit, në shtetet anëtare të BE –së dhe të nxisë pyetje rreth vërtetësisë së ekzistencës ose mos ekzistimit të kufijve midis këtyre shteteve – shumica e të cilave ndajnë një të kaluar, shpesh një konflikt, por gëzojnë sot lirinë e lëvizjes me njëri-tjetrin, shkruan KultPlus.
Nga njëra anë, një ndërtesë kufitare është ende funksionale kur hynë nga një shtet jo-Shengen në një shtet Shengen. Nga ana tjetër, brenda vetë zonës së Shengenit, ndërtesa të tilla kufitare janë konfiskuar për t’i shërbyer ndonjë qëllimi tjetër. Për ata njerëz që janë të kufizuar nga liria e lëvizjes, ndërtesa të tilla përfaqësojnë shumë më tepër sesa vetëm një prani fizike – ato mund të sjellin kujtimet e refuzimit, vështirësive dhe dhimbjes dhe shumë njerëz sot zgjedhin të marrin rrugë të paligjshme për të kaluar ndarjet kufitare.
Azra Aksamija, Nika Autor, Lana Cmajcanin, Petya Dimitrova, Fanni Futterknecht, Emil Mirazchiev, Oliver Ressler, Kamen Stoyanov, Ute Richter, Borjana Ventzislavova, Mladen Penev dhe Clara Wildberger janë artistët tjerë që vijnë në këtë ekspozitë.
“Migrations of Fear” vjen si reagim ndaj situatës aktuale politike por edhe realitetit social në Europë. Vala e refugjatëve, sulmet terroriste, siguri minimale, krizë e skajshme humanitare, lëvizje djathtiste që po e dëmtojnë mirëqenien e qytetarit, po e bëjnë Evropën një vend të tmerrshëm për jetë. / KultPlus.com