27 Tetor, 2017 - 10:17 am
‘Shpalosje Aktesh dhe Sinteza Siluetash’ është titulluar ekspozita e parë personale e autores Albana Ejupi e cila erdhi mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.
Derisa minutat po afroheshin drejt hapjes zyrtare të ekspozitës, depërtimi tek pikturat e autores po bëhej gjithnjë e më i vështirë duke qenë se kjo ekspozitë mirëpriste plot mysafirë e artdashës.
Piktorja e re në moshë por me një pjekuri e guxim artistik mbuloi më shumë se gjysmën e mureve të kësaj galerie me pikturat që të rrëmbenin në një botë të sensualitetit femëror. E gjithë kjo erdhi përmes dhjetë punimeve në formate të mëdha e që trajtonte tema të ndjeshme si vuajtjet dhe peripecitë njerëzore, po ashtu sjellë edhe dashurinë, ndjenjat dhe emocionet që rrjedhin prej temave tabu si arti seksual, duke e paraqitur femrën si bartëse e plleshmërisë dhe si bartëse e përgjegjësisë për krijimin e jetës në përgjithësi.
Penesta Dika , kuratorja e kësaj ekspozite solli një zbërthim të veprave të autores duke thënë se me paraqitjen shtesë të pikturës së saj në një hapësirë pa figuracion, ajo vë një gurthemel për zhvillimin e një zhanri të artit në përgjithësi.
“Kjo ekspozitë sjellë në njërën anë aktet e vetmuara të femrave dhe në anën tjetër shohim silueta çiftesh. Akte femrash të vetmuara me pozitën që e marrin na bëjnë me dije se kanë kaluar në ndodhi të ndryshme në jetë, duan ta shfrytëzojnë pikërisht këtë moment të shtrirjes paksa për tu çlodhur nga mundimet apo peripecitë që ua ka sjellë jeta. Ato sikur kërkojnë të jenë të qeta, duan të jenë vetëm dhe ta ndjejnë trupin në hapësirë, duan ta përpunojnë të kaluarën që të mund të përpunojnë të ardhmen”, ishin fjalët e kuratores Dika.
Profesori dhe poeti francez Max Fullenbaum që kishte ardhur në kryeqytet posaçërisht për këtë ekspozitë e cilësoi punën e Albana Ejupit të mbushur me plot spirtualitet.
“E dashuroj punën e Albanes”, ishin shprehjet që përmblodhën përshtypjet e tij në hapjen e kësaj ekspozite.
Kuratorja e kësaj ekspozite Panesta Dika tha për KultPlus se kishte dashur që publikut t’i sjellë një anë të cilën nuk e ka parë më herët tek Albana.
“Duke qenë se publiku e njeh Albana Ejupin si një piktore portretesh pata dëshirë që kësaj herë ta tregojmë Albanën prej një ane krejt tjetër të saj dhe kur i pash aktet dhe siluetat mendova që kjo është mënyra e duhur që kësaj radhe të shprehim diçka tjetër në këtë hapësirë”, është shprehur Dika.
Ndërsa sipas piktorit Kamuran Goranci, veçantia e kësaj ekspozite ishte vet Albana me stilin e saj, e cila në këto vepra e ka shkrirë shpirtin dhe personalitetin e saj.
“Albana është studente e mirë dhe një talente, ajo është një piktore që i njeh shumë mirë ngjyrat dhe kompozicionin. Është një artiste shumë e guximshme dhe ta kesh një guxim kaq të madh qysh në fillim kjo do të thotë shumë për të si artiste dhe nëse vazhdon kështu kjo artiste që jo vetëm pretendon por edhe premton shumë për të ardhmen”, tha Goranci për KultPlus.
Ndërsa autorja e kësaj ekspozite, Albana Ejupi, tregoi për KultPlus se kjo ekspozitë është rezultat i një punë rreth një viti e gjysme dhe është kurorëzim i studimeve të saj të masterit. Ajo tha se me vendosjen e femrës si figurë qendrore ka synuar provokimin e shoqërisë kosovare që gjërat normale të mos i tabuizojnë.
“Arsyeja kryesore që në veprat e mia femra ka luajtur rolin kryesor ka filluar prej këndvështrimit të gjendjes në Kosovë dhe shoqërisë kosovare, duke i parë femrat në një mënyrë “jonormale”. Trajtimi karakteristik që e kam sjellë në këtë ekspozitë është fakti që i lë disa vepra në gjysmë, që për të tjerët mund të duken në gjysmë por për mua jo sepse gjithmonë vendosi se çfarë të shpalos për publikun e çka jo”, tregoi Albana Ejupi për KultPlus.
Kjo ekspozitë do të vazhdoi të qëndrojë e hapur për një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com