Alban Muja prezantoi portfolion e tij artistike në “Javët e Frankofonisë”

12 Mars, 2019 - 10:00 pm

Gili Hoxhaj

Albani Muja erdhi sonte me një prezantim përmes të cilit shpalosi portfolion e tij artistike, përvojën e tij si pjesëmarrës në rezidencën artistike në Paris  vitin e kaluar e deri tek projekti për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Venecias këtë vit. Ky diskutim me artistin Muja erdhi sonte në Aleancën Franceze, në kuadër të organizimit të Javëve të Frankofonisë në Kosovë, që kanë nisur javën e kaluar në kryeqytet.

Alban Muja, artisti i cili do të prezantojë Kosovën në edicionin e 58-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut që do të mbahet këtë vit, sonte theksoi se projekti i tij reflekton më të tashmen dhe të kaluarën e Kosovës dhe quhet “Albumi familjar”.

“Projekti quhet “Family Album” apo “Album familjar”, ku tregohet mentaliteti jem si eksperiencë e jemja dhe shpesh herë edhe prej syve të tjerëve dhe në njëfar formë flet për rrugëtimin ton, është një projekt multimedial të cilin mund ta shihni më 9 maj në Arsenal të Venecias”, tregoi Muja sot në prezantimin e mbajtur tek Aleanca Franceze.

Alban Muja vitin e kaluar ka qenë pjesë e ‘Cite International des Arts’, që është institucioni kryesor për residenca artistësh në Francë dhe ndër institucionet më të mëdha në botë për residenca.

“Kjo është një lloj burse që u jepet artistëve të etabluar apo në etablim dhe e cila zakonisht ndahet në fusha dhe mediume të ndryshme të arteve bashkëkohore, mirëpo më herët nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim mes Francës dhe Kosovës në këtë drejtim andaj do të provojmë që në të ardhmen ta sjellim një bashkëpunim të përvitshëm”, tregoi artisti Muja, shkruan KultPlus.

Muja: Rezidenca është mundësia më e mirë për tu zhvilluar

Muja në prezantimin e tij theksoi se beson në atë se rezidenca është mundësia më e mirë për tu zhvilluar ndërsa shkolla është pjesë e rëndësishme gjithashtu. Në një periudhë gati një dekadëshe, ai ka jetuar mes rezidencave në vende të ndryshme dhe Kosovës, ndërsa thotë që qysh në vitin 2014 kishte vendosur të kthehej në Kosovës pasi që reagimi i tij artistik qoftë edhe gjatë kohës sa ka qëndruar jashtë vendit, gjithnjë është lidhur me Kosovën.

“E kam thënë edhe më herët se nëse kam mrri mësu diçka, e kam mësuar prej rezidencës. Kjo ka ndodhur prej vitit 2003- 2004 kur deri në vitin 2012-2012 gjysmën e kohës e kam ndarë mes rezidencave dhe Kosovës dhe pata zhvilluar një taktikë ku shkojsha diku tre muaj dhe me ato para jetoja në Kosovës tre muaj të tjerë. Ne mund të shkojmë në Paris apo Berlin por megjithatë duhet të vijmë dhe të reagojmë në vendin ku jetojmë ne”, tregoi Muja sonte në prezantimin e tij.

Muja ishte bërë pjesë e rezidencës në Paris, pas një nominimi nga dy kuratorë francezë nga Muzeu i Artit Modern i qytetit të Parisit, Odile Burluraux dhe Jessica Castex, të cilat vitin e kaluar kishin bërë një udhëtim dhe kanë takuar artistët nga rajoni dhe kishte ardhë kësisoj edhe nominimi i tyre me emrin e Alban Mujës. Ai tregoi se Kosova edhe pse ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë, ish- Jugosllavia i ka pasur gjashtë studio në  ‘Cite International des Arts’ dhe në asnjërën prej tyre nuk bën pjesë Kosova, ndërsa Muja tha se kjo ka ndodhur prej neglizhencës së Kosovës dhe për faktin se vendet e tjera kanë qenë më të shpejta në këtë drejtim.

“Ditët e para kur shkova në rezidencë, kërkesa imë ka qenë që të bëhet diçka pasi që edhe ne kemi qenë pjesë e atij shteti edhe pse jo me dëshirë dhe besoj nuk është e drejtë  që vetëm artistët e Kosovës mos me pasë këtë mundësi”, shpjegoi Muja, shkruan KultPlus.

Ai tha se kanë realizuar një projekt me 30 artistë të vendeve të ndryshme, e që lidhet me projektin e Mujas që e ka realizuar në vitin 2004. Ky projekt që akoma është në proces titullohet “Naming”. Kjo lidhet me punën e tij në vitin 2004, ku cdo gjë lidhet me konceptin e emrit ndërsa në Cite me një numër të madh të artistëve kanë diskutuar lidhur me historinë e emrit të tyre.

“Ka prej këtyre artistëve që vijnë prej vendeve që ne ose nuk kemi qenë ose kemi dëgjuar shumë pak. Kam dëgjuar eksperienca të ndryshme që tregojnë se në njëfarë forme emri është barra që e mbanë tërë jetën. Nëse në Kosovë emrat kanë treguar se çfarë situate politike dhe ekonomike jetojmë ne, disa projekte që i kam realizuar më herët si “Palestina” apo “Tibet” që tregojnë historitë e emrave të tyre apo “My name their city” që tregojnë një dashuri distancë mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë në vitet e 80-a”, tregoi Muja, ndërsa hulumtimi i tij për atë kohë tregon se ekzistojnë rreth 30 mijë emra me emra të qyteteve të Shqipërisë.



Tutje Nimani dha një përmbledhje edhe për projektet e tjera artistike si Tonys, Brotherhood, Forca, “New York, New York”, “Window seat, paintings” dhe “Window seat drawings”, Legendary Dog , HOTel. / KultPlus.com

Të ngjajshme