30 Gusht, 2019 - 12:31 pm
Albanian Excellence rrugëton javën e parë të shtatorit në Preshevë, në këtë qytet shqiptar në Serbi, shtrirë jetë e mot, në jug-lindje të Kosovës. Ajo ndalon në këtë pjesë të shqiptarisë këtë fillim vjeshte, jo vetëm suksesin e zonjave shqiptare kudo janë por një mesazh fisnik e njerëzor se: Viti 2020 do të jetë viti i Preshevës nga kjo qendër modeste në dukje por që mban brenda saj fuqi njerëzore dhe intelektuale të mbarë shqiptarisë.
Të gjithë ata shqiptarë kudo jetojnë, do të jenë një mbështetje më shumë për këtë trevë parcialisht shqiptare, shtrirë në pjesën më të lartë të kësaj zone me një sipërfaqe prej 264 kilometra katrorë, me toka pjellore në rrafshet aluviale të pellgut të Moravës në veri dhe pellgut të Vardarit në jug.
“Ne jemi me Preshevën”, është motoja e këtij rrugëtimi që do të materializohet në një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Preshevës dhe që do të firmoset nga drejtuesit respektivë tw Komunës së Preshevës dhe të Albanian Excellence , si një besë që do ti shoqërojë për gjatë një viti në këtë rrugëtim të gjatë në hapësirë dhe në kohë me shqiptarët kudo janë, dëshirën njerëzore për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës, e përbërë nga 35 vendbanime, dhe ku qyteti dhe komuna janë me popullsi shumicë shqiptare.
Janë 121 mysafire, zonja suksesi nga SHBA, Europa, zonja nga të gjitha trojet amtare, të cilat do të prezantohen në ekspozitë si për të sjellë jehonën e suksesit në këto troje si një ogur i mbarë dhe i mirë për vijimësinë e të qenit së bashku nën okelion e madh: komb i shqiptarisë. E madhja Tinka Kurti, do të jetë kryemysafirja e këtyre zonjave të nderuara e cila do të ngjitet në skenën e teatrit të Preshevës, duke risjellë në mëndje e zemër, vitin e largët 1980, kur në atë skenë së bashku me Teatrin Migjeni, interpretoi me lotë në sy dhe në zemër së bashku me preshevasit që kishin mbushur sallën, “Bacën e Gjetajvë”.
Si nga herë edhe këtë herë koncepti i Albanian Excellence, ka të bëjë me një agjendë të ngjeshur shoqëruar. Sepse e gjithë agjenda në tërësinë e saj, synon të japë dhe të përmbushe misionin e një qëllimi të mirëpërcaktuar në mbështetje të një shoqërie të mençur në vendime dhe në vazhdimësi ashtu dhe në krijimin e mikroklimave të shëndosha ndaj mediokritetit, vogëlsisë dhe fjalëshumësisë së antivlerës.
Në këtë kuptim aktiviteti që organizohet në Preshevë këtë fillim shtatori, jo vetëm nderon zonjat e suksesit shqiptar, por këtë herë krahas këtij respekti, e kalon rëndesën e saj në të dy gjinitë, më idenë e madhe të bashkërendimit të forcave, ideve, dëshirës për të qenë së bashku. Sepse, “Ne jemi me Preshevën “, në thelb si dhe në dukje, është mesazhi i sigurisë për të qenë së bashku, në mënyrën më njerëzore, më të sinqertë ashtu dhe më fisnike të mundshme, për të dhënë dhe për të marrë vlera e bashkëpunim në një shekull kur qytetërimi dhe etika e të komunikuarit duhet të jenë kryefjala e gjithësisë ku jetojmë dhe ku japim kontributin individual dhe njerëzor.
E gjitha është një mbështetje për këtë luginë vlerash , e cila ndër vite e në episode të ndryshme patriotike kulturore ka dhënë një kontribut të rëndësishëm kombëtarë duke ofruar potencialin e saj në mënyrë të pa-rezervë.
Zonjat që do të jenë të ftuarat e nderit në këtë tubim tre ditor, ku do të tregojnë jo vetëm si dhe sa ju është dashur të arrijnë suksesin në jetë , por do të jenë bashkëshoqëruese të nderuara të jetës së banorëve të kësaj treve, të cilët si në vitin e largët 1980 kur mbërriti këtu, Baca e Gjetajve , edhe këtë herë do ua mbushin zemrën mysafirëve mbërritur nga anekënd planetit , me dashuri mikpritëse shqiptarie./ Flora Nikolla / KultPlus.com