Albert Heta prezanton sonte programin e Shkolla Verore si Shkollë në Sarajevë

25 Qershor, 2018 - 1:58 pm

Sonte më 25 qershor me fillim nga ora 18:00 në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, bëhet prezantimi i programit të Shkolla Verore si shkollë, shkruan KultPlus.

“Akademia e Arteve të bukura në Sarajevë dhe Sonemus ftojnë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në prezantimin e programit të Shkolla Verore si Shkollë 2018 – platformës ndërdisiplinore, edukative me qendër në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Fillimisht e inspiruar nga rasti i Kosovës, ku sistemi arsimor ishte strukturuar në mes të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, Shkolla Verore si Shkollë është e dizajnuar për të bashkuar dhe për të përhapur dijen dhe për të trajtuar sfidat e ditëve të sotme, duke zbatuar modele të reja dhe krijuar mundësi në arsimimin artistik dhe bashkëpunimin arsimor dhe artistik.

Prezantimi dhe diskutimi në perspektivat e arsimimit në fushën më të gjerë të artit bashkëkohor bëhet me: Albert Hetën, drejtor artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Donjetë Murati, hulumtuese dhe koordinatore e programit në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Anja Bogojevic, kuratore/historiane e artit, asistente në Akademinë e Arteve, Universiteti në Sarajevë, bashkëthemeluese e Qendrës për Art Bashkëkohor Abart, Mostar; Admir Mujkic, artist/asistent në Akademinë e Arteve, Universiteti në Sarajevë; Amila Ramovic, kuratore/muziciente, asistente në Akademinë e Muzikës dhe Akademinë e Arteve Skenike në Universitetin e Sarajevës; Ališer Sijarić, kompozitor, profesor në Akademinë e Muzikës në Universitetin e Sarajevës dhe drejtor artistik i Organizatës Sonemus.

Programi i Shkolla Verore si Shkollë 2018 mbahet më 16 korrik – 2 gusht, 2018.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur thirrjen e dytë për aplikim në kurse. Afati i fundit për aplikim është më 25 qershor, 2018.

Udhëheqësit e Shkollës Verore si Shkollë 2018 kanë përpiluar një program sfidues dhe inspirues duke kombinuar klasë të bazuara në teori dhe produksion, ligjërata dhe prezantime publike, ekspozita, perfomanca dhe program filmi. / KultPlus.com

Të ngjajshme