Albian Gagica: Dizajnimi i emblemave të Ushtrisë së Kosovës nuk krahasohet me asnjë çmim

31 Dhjetor, 2018 - 5:30 pm

Duke qenë fëmijë i viteve të 80-ta dhe adoleshent i viteve të 90-ta, termi ushtri dhe polici për çdo fëmijë të asaj periudhe ka nënkuptuar traumë. Njësoj ishte edhe për Albian Gagicën, i cili është rritur në Prishtinën e okupuar, sikurse që ka përjetuar edhe masat e dhunshme duke ia përjashtuar edhe prindërit nga puna. Albian Gagica është artisti që ka dizajnuar emblemat për Ushtrinë e Kosovës. Duke iu referuar vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës, ai ka treguar për KultPlus se as që e kishte imagjinuar qe Kosova një ditë do të kishte ushtrinë e saj, sikurse që nuk e kishte menduar që pikërisht ai do të jetë artisti që do të krijojë emblemat, krijim që sipas tij nuk mund të krahasohet me asnjë çmim.  

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju jeni krijuesi i emblemave të Ushtrisë së Kosovës, çfarë ndjesie të ka sjellë vendimi kur keni kuptuar se emblemat e juaja do të përdoren në një institucion të shumëpritur nga kosovarët?

Albian Gagica: Simbolet e Ushtrisë së Kosovës janë dizajnuar në vitin 2009,  nga produksioni INIT në Prishtinë, ku unë kam qenë bashkëpronar dhe drejtor kreativ. Pos meje, në këtë projekt kanë dhënë kontribut edhe bashkëpunëtorët e mi: Taki, Alush Gashi, Pleurat Spahiu e Mumi. Pos shume projekteve të dashura e me vlerë që i kemi punuar për gati 15 vjet në INIT, dizajnimi i simboleve të Ushtrisë së Kosovës, padyshim se mbetet njëri nga projektet më të veçanta dhe më të vlefshme për ne.

KultPlus: Si fëmijë, padyshim që e keni përjetuar tmerrin si të gjithë kosovarët, duke mos poseduar asgjë shtetërore, e kishit menduar se ndonjë ditë, pikërisht puna e juaj do të kurorëzonte Ushtrinë e Kosovës, e para e këtij lloji në historinë e saj?

Albian Gagica: Natyrisht që jo. Si fëmijë, në vitet e 80-ta,  e adoleshent në të 90- tat, besoj,  si shumica e gjeneratës sime më shumë kemi qenë të fokusuar të mendojmë si ta tejkalojmë krizen politike e masat e dhunshme të asaj kohe se sa të endërrojmë për të ardhmen. Pos tjerash, atëherë as në fund të mendjes nuk e kemi pasur mundësinë që në të ardhmen ne të identifikohemi me diçka tjeter prej shqiptarëve të Shqiperise.

KultPlus: Duke pas parasysh se shumica e djemve të gjeneratës suaj është dashur të largoheshit nga Kosova, për shkak të mos shërbimit në ushtrinë e atëhershme jugosllave, çfarë ndjesie të sillte termi ushtri?

Albian Gagica: Fatkeqësisht, si pasojë e okupimit shumë vjeçar nga pushteti serb, për kohë të gjatë termet ushtri e polici për çdo shqiptar të Kosovës kanë ngjallë frikë e mllef. Edhe unë e familja ime kemi qenë të diskriminuar e të prekur nga kriza politike, të dy prindërit e mi kanë qenë të larguar nga puna në atë kohë. Për mua ka qenë fat në fatkeqësi që në atë kohë kam ardhur në Amerike si ‘exchange student’ dhe kam pase fatin të kem një edukim cilësor. Megjithatë, menjëherë pas perfundimit të studimeve në vitin 2000, jam kthyer në Prishtinë.

KultPlus: Sa stres ju ka sjellë krijimi i këtyre emblemave, duke kërkuar më të mirën dhe më simboliken?

Albian Gagica: Ka pasë stres e ngarkesë,  natyrisht si çdo punë tjetër, mirëpo më së shumti ka qenë përgjegjësi e jashtëzakonshme,  sepse ka qenë nder e privilegj të krijojmë identitetin dhe simbolet e Ushtrisë tonë. Ne nuk jemi fokusuar vetëm në simbole të bukura, por gjithashtu edhe në domethënien e tyre. Jemi munduar të dizajnojmë simbole të cilat ushtarët tanë i mbajnë me krenari. Pastaj ka pasë rregulla të caktuara që kemi pasë obligim që ti kemi parasysh.  Meritë shumë e madhe i takon gjeneral Agim Cekut,  i cili ka qenë këmbëngulës që në këto simbole,  në emblemën kryesore të jetë shqiponja.

KultPlus: Keni paraqitur disa simbole, mund të na shpjegosh më shumë për përmbajtjen e këtyre emblemave?

Albian Gagica: Jane gjithesej 12 simbole.Emblema kryesore dhe 11 njësitet. Të gjitha e kanë vetëtimën si pikë identifikuese,  sepse ushtria reagon shpejt dhe furishëm njësoj si vetëtima. Emërtimet e njësiteve i ka bëre FSK-ja, ndërsa ne i kemi dizajnuar.

KultPlus: Si dizajner, keni të numëruara disa çmime por edhe shumë pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme ndërkombëtare sa i përket fushës së dizajnit, do ti rreshtoje me peshën e emocionit që ta ka dhënë kjo e fundit?

Albian Gagica: Dizajnimi i simboleve të Ushtrisë së Kosovës nuk krahasohet me asnjë punë që e kam punuar deri tash, me asnjë çmim apo ekspozitë në të cilën kam marr pjesë. Është e vetmja punë që më bën krenar, jo vetem mua e familjen time, por të gjithë njerëzit që më njohin e shpresoj edhe ushtarët që i bartin çdo ditë.

KultPlus: Po dizajnet tjera, cilat i vlerësoni me një rëndësi të madhe në karrierën tuaj?

Albian Gagica: Sa i përket punës që e kam bërë në Kosovë do ta veçoja edhe llogon e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Është simbol me rëndësi pasi që shihet nga audienca të ndryshme në botë në çdo film që prodhon Kosova. Pastja, llogo e Hamam Jazz Bar, fitues i një çmimi në Londer, Fonti Illiria që është në “type it” muze në Spanje…

KultPlus: Pas këtij suksesi, e mendoni se do ta kapërceni këtë arritje, apo mund të synoni edhe diçka më të madhe?

Albian Gagica: Nuk besoj që ka diçka që e kapërcen këtë arritje. Për mua personalisht do të mbetet më e veçanta dhe më e dashura. Ndoshta me dizajnu flamurin e Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme