Albulena Jashari reflekton në ekspozitën ‘Akordet e çikave’ (FOTO)

25 Janar, 2018 - 8:35 pm

Gili Hoxhaj

Piktura, kitara e CD të stolisura shpërfaqnin multidimensionalitetin e artistes Albulena Jashari. Ajo sonte solli ekspozitën e dytë personale duke e dëshmuar stilin e veçantë edhe në pikturë derisa shpalosi punimet në ambientin e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Albulena është artiste e grafikës, e muzikës dhe e kitarës, por janë këto vitet e fundit ato që e kanë tërhequr vëmendjen më të madhe të kësaj artisteje drejt pikturës. Janë tetë punime të pikturave, tri kitare të stolisura dhe pesëmbëdhjetë CD të cilat vijnë të modifikuara me stolitë personale të artistes, e të cilat ajo i ka parë si mënyrë riciklimi. Në disa nga pikturat e saj kishin zënë vend dy e më shumë portrete femrash, e në disa të tjera figura e tyre ishte e shtrirë e vetme në një pikturë. Sytë e tyre diku janë të hapur, e diku rrinë të mbyllur, kjo për artisten nënkuptonte kërkimin e ëndrrave të tyre, apo meditimin si pjesë edhe e vetë artistes. Albulena, e dëshmuar tashmë edhe si këngëtare sonte solli kitarat me të cilat ishte rritur, mirëpo duke i dhënë një qasje tejet estetike në dukje.

“Talenti i saj më ka intriguar shumë duke qenë se ne gjatë gjithë ciklit jetësor, e kemi shumë të rëndësishme që të gjejmë akordet tona dhe të kemi një harmoni me veten në mënyrë që të jemi pjesë e një sistemi më të madh, duke qenë në harmoni edhe me ato çfarë ndodhin përreth nesh’’, tha artistja Eliza Hoxha në hapjen e kësaj ekspozite, ndërsa shtoi se përshtypje i ka lënë edhe ideja e riciklimit të CD-ve duke i sjellë kështu përmes kreativitetit të saj artin vizual me atë muzikor, ku ajo edhe bën pjesë.

Albulena ekspozitën e parë personale e kishte ndarë me publikun tiranas, mirëpo ndjenja e të qenit pranë të afërmve të saj, e shoqërisë këtu në Prishtinë, po dhuronte sonte emocione të veçanta. Madje ajo thotë se me shumë emocion i ka numëruar momentet drejt ekspozitës. Çdo punim i saj sonte këtu shpërfaqte një reflektim të artistes mbi veten.

“Secila femër e vendosur në këto piktura ka diçka të Albulenës, e kam paraqitur vetveten. Janë femra të lira, të cilat vazhdojnë ta ndjekin ëndrrën e tyre, janë femra paqësore dhe të pavarura. Është një frymë se si unë jam rritur në familjen time’’, tregoi artistja Jashari për KultPlus.

Pikturat në mur përmbajnë brenda kornizave të tyre personalitetin e fuqishëm të femrës. Disa prej tyre mbajnë flokë ngjyrë blu, disa ngjyrë kafe, të kuqe, disa të bardha, disa ngjyrë të verdhë e një prej tyre nuk ka fare flokë. Veshjet, pozita, e ngjyra e trupit të tyre prekin përtej realitetit të femrës shqiptare. Përmes këtyre elementeve artistja ka prekur femrën e kulturave të ndryshme të botës.

Artiste të disa disiplinave, e konsideron Albulenën, profesori i saj Hajrush Fazliu.

Ai tha për KultPlus se artistja duke bashkuar stilizimet e veta edhe në pëlhurë e kitarë arrin të sjellë një ekspozitë shumë të veçantë.

“Përmes një stilizimi, dekoracioni e ndërlidh çdo kompozicion dhe hapësirë por si lajtmotiv kryesisht e ka femrën, e cila paraqitet gjithnjë me një zbukurim për të treguar atë që e bën gjininë e bukur vërtetë artistike”, tha profesori Fazliu në këtë ekspozitë, i cili duke qenë profesor i artistes e ka kuptuar potencialin e saj për pikturë.

Albulena Jashari përveç magjisë së pikturave, ajo nuk kishte si ta lë anash edhe muzikën të cilën e kishte shkrirë në punimet e saj. Me këngë, e vallëzime bëri që kjo mbrëmje të jetë e plotë në aspektin artistik. Ekspozita do të shoqërojë për njëzetë ditë të gjithë vizitorët e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme