4 Janar, 2023 - 6:44 pm
Starton një udhë krijimi, hapat e të cilës maten me rrahje zemre edhe pse vepra e dalë nga shpirti do të mbruhet ne metal e në trajtë, në formë dhe përjetim, në ide dhe sendërgjim estetik.
Po, nuk është trill mediatik, as lajm i krijuar nën një presion pasioni nacional, është e vërtetë, artisti me origjinë shqiptare do të vendosë më 30 mars 2023 në Piazza Mercato, në Napoli, skulpturën e tij monumentale “Çelësi i së sotmes” në kuadrin e projektit “Çelësat e unitetit”, në bashkëpunim me JeanWolfe nga Los Angeles.
Ky projekt ambicioz do të lançohet me bujë të madhe në një prezantim publik, duke mbërritur ngarkuar në një valë pozitiviteti, shprese, komunikimi dhe bashkëjetese. Sepse është arti i madh ai që aspiron për ëndrrën për të frymëzuar një dialog të hapur dhe për të mëkuar një shpirt që u flet ndjenjave dhe emocioneve çiltërsisht dhe sinqerisht.
Dhe kjo nuk është krejt një rastësi që pikërisht në Piazza Mercato, në Napoli, artisti me famë ndërkombëtare Miloti ka zgjedhur të vendosë “Çelësin e së sotmes”, një vepër që intrigon, një qasje komunikimi artistik që ngulmon t’i japë zë heshtjes së diktuar nga skepticizmi dhe mëdyshja, dhe të gjej një çelës për të hapur dyert e mbyllura dhe diktati i ndalimeve dhe për t’i mëkuar shpirtrave që i anden të bukurës, atë që është e jona, bota, jeta, dhe gjithëkjo shenjtëruar prej një vullneti të lartë dhe mëtuar përmes artit si një altar.
Një fuqi frymëzimi dhe dinamizmit, një retorikë dialogu dhe blatimi të hyjshëm i shpirtit krijues që ftohet të jetë si një sublimitet arti që imponon me ndijim dhe shpirtje, në një shesh të bukur dhe historik 700-vjeçar, i cili ka qenë gjithmonë epiqendra e ngjarjeve qytetare, duke luajtur një rol kyç në historinë magjepsëse të një prej kryeqendrave më të vjetra në botë, një metropol që i dha jetë shumë qytetërimeve dhe kulturave, duke lejuar zemërhapur e mendjekthjellët, t’u bëjë vend diversitetit të kulturave, besimeve, racave dhe ideve. Kjo histori vazhdon edhe sot me një prej artistëve më në zë, atë që blatoi shpirtin krijues vendit që ju bë atdhe, dashurisë së njerëzve që ju bë prehër.
Kjo skulpturë gjigante, quajtur “Çelësi i së sotmes”, ekspozuar për herë të parë në Napoli, falë kryebashkiakut Gaetano Manfredi (në foto me artistin që i prezanton maketin e çelësit), që do të jetë simboli i jetës, i rilindjes së një shoqërie të hapur ndaj gjithçkaje dhe të gjithëve, ndaj dialogut, ndaj krahasimit, e një bote, e cila ofrohet si mundësi dhe potencial për të gjithë.
Dëshira e Alfred Mirashi – Miloti është të japë një mesazh shprese në një moment kaq të vështirë dhe përçarës, me synimin për të rizgjuar mendimin kolektiv të një shoqërie, që së fundmi ka humbur rrugën.
Ai dëshiron që kjo të jetë një “klithmë” universale respekti reciprok mes njerëzve, në mënyrë që ata të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe të mos ketë më vende të mbyllura e të largëta. Pikërisht në këtë vend, fjalë për fjalë dhe metaforikisht, do të gjendet çelësi. Një strukturë monumentale dhe mbresëlënëse, prej çeliku korten, “Çelësi i të sotmes” do të jetë dhjetë metra i lartë dhe njëzet metra i gjerë. Prezantuar nga Shoqata Mille Volti në bashkëpunim me Bashkinë e Napolit dhe Kryetarin e Bashkisë, që ka delegacionin e kulturës, nën drejtimin ekzekutiv të Michael Kaiser/Jeanwolfe, me drejtimin artistik, Michele Stanzione dhe inxhinierin Michele Palumbo, përveç bashkëpunimi i Francesco Bianco, Lai Junjie dhe Albine Mirashi, Key of Today do të qëndrojë në Piazza Mercato në Napoli për 3 muaj – dhe qyteti do të mbahet mend gjithmonë si selia inauguruese e Key-t. Inaugurimi do të jetë një rast madhështor, me një ngjarje muzikore, një ngjarje vallëzimi dhe një ngjarje me vulën e pasaportës – një çmim që i jepet një artisti të ri vendas që krijoi një vulë identiteti krijues, të zgjedhur si fitues dhe më pas shkëlqim vezullues mbi madhështinë e një çelësi të shndërruar në referencë arti të madh, arti që do t’u flasë brezave dhe epokave me gjuhën e gjithmonshme të së bukurës dhe shpirtit.
Ky mesazh universal do të dërgohet më pas në qytete të tjera italiane dhe evropiane, ku çdo skenë do të shtojë një vulë unike. Çelësat e tjerë nga i njëjti projekt – The Water Key, do të vijojnë në një turne në Azi dhe Oqeani, dhe The Dream Key, në një turne emblematik në Amerikë, do të vijojë kështu një shfaqje spektakolare rreth planetit. Nëse Arkimedi kërkonte një levë dhe një pikëmbështetje që të lëvizte tokën, si një qasje për të hedhur idenë rreth formës sferike të saj, Miloti kërkon një çelës t’i dëshmojë njeriut dhe botës se ne meritojmë të jetojmë në një të sotme me dyer dhe zemra të hapura, si një ngulm për të besuar se thelbi i ekzistencës është i sintetizuar në përkufizimin se ne i përkasim njëri-tjetrit.
Ky mesazh lidhjeje dhe dialogu është ai që shqiptari i madh i pikturës dhe skulpturës, Alfred Mirashi – Miloti, shpreson ta çojë kudo si mesazhin e besimit, duke bërë kështu dishepullin e një kohe moderne, atë që kërkon të “martirizohet” për një qëllim të lartësuar në vepër.
Siç jeni vënë në dijeni, artisti i unikes së përfaqësimit, atë të çelësave, Miloti ka fituar konkursin ndërkombëtar të organizuar nga Ministria shqiptare e Kulturës, projekti “Arti në hapësirat publike”, dhe skulptura e tij “Çelësi Shqiptar” do të realizohet dhe do të vendoset. “Në përpjekjen e madhe që bëjmë çdo ditë për të realizuar ëndrrat tona, pa vetëdije gjejmë shumë pengesa, paragjykime dhe mekanizma në jetë, ku është shumë e vështirë të realizojmë dëshirat tona”, shpjegon Milot. “Çelësi si objekt nuk ka qëllimin e thjeshtë të ‘hapjes’, por të simbolizojë hapjen e gjithçkaje, pa vende të mbyllura, si një mjet për të gjetur ‘rrugën’ e duhur për çdo qenie njerëzore. Në këtë shoqëri ne bombardohen vazhdimisht nga imazhet virtuale: shfaqja e vetvetes është bërë angazhimi më i zakonshëm. Njeriu detyrohet të mos jetë në gjendje të komunikojë dhe, për rrjedhojë, edhe artistët po ‘kërkojnë’ një identitet të ri për t’i bërë njerëzit të reflektojnë mbi pasigurinë e madhe në të cilën ne jetojmë”.
Milot është një artist shqiptaro-italian që e përballon jetën në mënyrë të thjeshtë, po aq të thjeshtë sa mesazhi që dëshiron të dërgojë me skulpturën e tij konsiston në atë që ai e mëton me mish e me shpirt: “Eliminoni frikën individuale dhe kolektive që na rrethvjen kudo, pasiguritë dhe dyshimet”. “I imi është mbi të gjitha një mesazh pozitiv shprese, sepse ne të gjithë kemi të drejtë t’i bëjmë ëndrrat tona realitet dhe të gjithë meritojnë të njëjtat mundësi për ta bërë këtë.” Projekti i madh i Milotit “Keys of Unity” do të bëhet një simbol universal dhe i qëndrueshëm i dialogut dhe lidhja “The Keys” do të krijojë një bashkëjetesë diversiteti dhe përfshirjeje në brigjet e njerëzimit dhe do të ndihmojë në rizbulimin e vlerave të humbura, që ne të gjithë ndajmë. Një ideal i hirit të përditshëm dhe një përkthim i patosit për të ardhmen. Çelësat do të jenë një frymëzim dhe një kujtim për botën që të rimarrë dhe të lidhë të kaluarën e tyre me gëzimin e së tashmes, duke parë një të ardhme shpresëdhënëse me një bisedë të hapur dhe gjithnjë në zhvillim. Në fund të fundit, dialogu është çelësi dhe ne meritojmë këtë botë që promovon artistikisht Miloti, një të tashme që e shenjtëron shpirti krijues i një artisti që beson te vlerat e mëdha të humanizmit dhe forcën transformuese të artit.
Nga Albert Vataj / KultPlus.com