Alketa Xhafa Mripa, në emër të babës në ‘Onufri’

23 Dhjetor, 2017 - 11:45 am

Është hapur para pak ditësh në Shqipëri, ekspozita e njohur “Onufri”, një prej ekspozitave që zgjon interesim të madh tek artdashësit shqiptarë.

Përpara shkallëve të katit të tretë, të pret një thes i artë. Është një nga punët e artistes Alketa Xhafa Mripa, e cila paraqitet në këtë edicion të “Onufrit” me dy vepra, një instalacion dhe një video. Siç shpjegon vetë ajo, e para është personifikim i memories kolektive.

“Është një këndvështrim se si një 5-vjeçare nga Kosova e shihte Shqipërinë, e bashkë me mua edhe gjithë gjenerata ime. Për ne ishte si një thesar, si thesi i babagjyshit të Vitit të Ri. Por, në fakt brenda janë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ne nuk e dinim gjendjen e rëndë që po kalonin shqiptarët, e kemi mësuar më vonë”, tregon ajo.

Ndërsa puna e dytë, një video e shoqëruar nga dy fotografi, i përket kujtesës personale. Titullohet “N’emër të babës”.

Në të shfaqet autorja teksa lan në vaskë babanë e saj 85-vjeçar, artistin e njohur Xhevdet Xhafa. “Më kujtohet koha kur im atë më pastronte mua, por vjen një moment dhe vendet ndërrojnë dhe jam unë ajo që e pastroj tashmë atë. Kur prindi ikën nga kjo jetë, kryhet riti i fundit, ai i larjes, i pastrimit dhe ideja ime është që duhet të gëzojmë me ta sa janë ende në jetë”, tregon artistja. / KultPlus.com

Të ngjajshme