Altin Krasniqi, finalist i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, në Airlab Spring 2019

26 Maj, 2019 - 2:44 pm



Duke ndjekur traditën e saj të nisur që në 2006, programi përqendrohet në mbështetjen e kërkimit artistik dhe shkëmbimit rajonal. Për edicionin e pranverës, në bashkëpunim me organizatat partnere Stacion Qendër për Art Bashkëkohor, Prishtinë, mirëpritëm tre artistë: Donika Çina (Tiranë), Blerta Hoçia (Prishtinë) dhe Altin Krasniqi (Prishtinë).
 
Programi i Rezidencave për Artistë 2019 organizohet nga T.I.C.A. në bashkëpunim me Zeta, Qendër për Artin Bashkëkohor dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
 
 
Altin Krasniqi (1994, Kosovë) është artist që jeton e punon në Prishtinë, Kosovë. Ai punon kryesisht me mediumin e pikturës, vizatimit dhe instalacionit. Ka mbaruar në Kolegjin AAB, Prishtinë (2017), për arte vizuale dhe pikturë. Ai është finalist i Çmimit “Artistët e së Nesërmes” (2018), Stacion – Qendra për Art Bashkëkohorë, Prishtinë; është fitues i çmimit të dytë dhe pjesëmarrës në workshopin URGJENCAT DELIKATE, Cittadellearte, Itali dhe Art House, Shkodër (2017).
 
Puna e Altin krasniqit flet për histori familjare, për migrimin, për ndryshimet ekonomike që ndodhën pas luftës në Kosovë, për raportet shoqërore dhe gjurmët që këto ndryshime kanë lënë në arkitekturën urbane dhe ekonominë e vendit.
 
 
Blerta Hocia (1984 Tirane) është artiste dhe kuratore, që jeton midis Tiranës dhe Prishtinës. Ajo mbaroi studimet e saj për teknikat e pikturës, në Akademinë e Firences, Itali. Ka punuar si kuratore në Galerinë Miza; Shefe e Arkivit në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi. Ekspozitat e saj personale përfshijnë THE DEMIURGE, Sala Rosa, Siena Itali (2012); IN THE ABSENCE OF EXTERNAL FORCES DO NOT POSSESS MY OWN FORM, Magma Florence, Itali (2013) dhe I THOUGHT OF YOU SO HARD, Zeta Galeri, Tiranë (2016). Ajo ka marr pjesë në disa ekspozita kolektive dhe panaire arti, ndër të cilat: EMERGENZ, Berlin (2013); SUPERMARKET, Stokholm (2015); PARALLEL VIENNA (2017); ARDHJE, Tiranë (2014) dhe MUSLIM MULLIQI PRIZE, Prishtinë (2018).

 Në praktikën e saj artistike ajo fokusohet në procesin krijues të kujtesës, se si ne merremi me të, në intimitet dhe si shoqëri. Puna e saj tenton të krijojë një dialog ideal me të kaluarën. Ajo punon me arkivat personale si dhe me arkivat publike digjitale ose analoge.

 
Donika Çina (1988 Korçë) zakonisht punon në mediumin e video artit dhe video instalacionit. Ajo është diplomuar në Fakultetin e ArteveVizuale, Atelieri i Multimedias, në Akademinë e Arteve, në Tiranë; më pas vazhdoi të studiojë fotografi dhe video pranë Universitetit të Arteve dhe Dizajnit, në Cluj-Napoca të Rumanisë dhe në klasën e Candice Breitz në Universitetin e Artit në Braunschweig, Gjermani. Ajo ka qenë pjesë e ekspozitave dhe projekteve të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare si ALBANIA IS NOT CUBA, kuruar nga Amy Zion, Havana, Cuba (2019); DEJEUNER AVEC MARUBI, kuruar nga Annmarie Turk, Belvedere 21, Vienna, Austri; YLLI ME PESE CEPA, Zeta Gallery, Tirana Albania; IN-BETWEEN, Zeta Gallery, Tirana, Albania; Çmimi ARDHJE 2016, Zeta Gallery, Tirana Albania.
 

Donika Çina, në punën e saj, është e interesuar në mënyrën se si personalja situacionon veten dhe përballet me shoqërinë dhe nocionet, normat dhe standardet e saj kolektive. Ajo fokusohet sidomos në momentet e vendimmarrjes, të cilën ajo e kupton si një ftesë për të mbajtur një qëndrim që pasqyron ose rrjedhimisht buron jo vetëm nga opsione bardh e zi. Përmes procesit individi zhvillon dhe ballafaqohet me pyetje të cilat më pas do të rezultojnë në rezultatin përfundimtar të vendimmarrjes. Prandaj procesi mund të konsiderohet si një sistem shtresëzimi që të çon drejt mbajtjes së një qëndrimi. Kjo gjë është e reflektuar përmes formës mediatike të përdorur në punën e Donikës, duke iu adresuar shikuesit drejtpërsëdrejti për të marrë vetë vendimet e tyre ndërsa hasen me punën e saj. / KultPlus.com

Të ngjajshme