Ambasada e Francës shënon 20 vjetorin e luftës në Kosovë, hapet ekspozita “Veronikë, njëzet vjet…”

6 Maj, 2019 - 5:30 pm

Në kuadër të aktiviteteve të Ambasadës së Francës që u mbajtën sot për të shënuar njëzet vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë, u bë edhe hapja e ekspozitës me fotografi e titulluar “Veronikë, njëzet vjet…” nga fotoreporteri Hazir Reka, duke sjellë kështu fotoreportazhe të luftës në Kosovë të bërë gjatë viteve të 90-ta, shkruan KultPlus.

Ekspozita është hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Autori në këtë ekspozitë është paraqitur me dy lloj fotografish, fotografi bardh dhe zi që janë të refugjatëve shqiptarë në fshatin Kishnarekë dhe pjesa tjetër e fotografive janë foto të një foshnje, 20 vite më parë, kur ajo sapo kishte ardhur në jetë.

Kjo ekspozitë e fotoreporterit Hazir Reka, lidhet me momentit kur një gazetare zvicerane, 20 vite më parë, kishte takuar një foshnjë të porsalindur e cila pastaj ishte pagëzuar me emrin e saj, Veronika. Veronika Zeka, e cila tashmë është studente në Fakultetin e Bujqësisë, tha për KultPlus se është mjaft interesant që ti sheh fotografitë e saj pas 20 viteve.

 “Për mua janë mjaft interesante pasi që ka kaluar një kohë mjaft e madhe, pra 20 vjet që nga lufta, dhe gjatë kësaj kohe kanë ndodhur ndryshime shumë të mëdha. Unë jam personazhi i këtyre fotove dhe mbaj emrin e gazetares zvicerane, e cila na ka vizituar në atë kohë, dhe ndihem shumë krenare që e mbajë këtë emër”, tha Veronika për KultPlus.

Organizatorja e këtyre ngjarjeve Lemane Kamberi, tha që njëra nga projektet që kanë propozuar që të shfaqet në shënimin e kësaj dite ka qenë edhe kjo ekspozitë pasi që sipas saj këto fotografi janë shumë të rëndësishme.

“Ambasada franceze na ka mundësuar neve që t’iu propozojmë atyre projekte në mënyrë që të kremtojmë 20-të vjetorin e luftës në Kosovë, e njëra nga projektet që kemi propozuar që të shfaqet në këtë ditë është edhe ekspozita me fotografi  të Hazir Rekës. Mendoj që fotografia është shumë e rëndësishme pasi që na mundëson që të përkujtohet lufta”, tha ajo për KultPlus duke shtuar se këto fotografi janë dëshmi të asaj kohe.

Pos këtyre fotografive në këtë ekspozitë janë paraqitur edhe disa reportazhe që janë shkruar në atë kohë për ngjarjet në Kosovë. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për publikun deri me 8 maj në hollin e Bibliotekës Kombëtare. /Gzim Mujaj / KultPlus.com

Të ngjajshme