Ambasada e Kosovës në Slloveni shënoi dhjetëvjetorin e pavarësisë (FOTO)

15 Shkurt, 2018 - 4:18 pm

Me një koncert klasik muzikor ku performoi sopranoja kosovare Flaka Goranci dhe me hapjen e një ekspozite të fotografive të autorëve nga Kosova të përzgjedhura ndër vite si më të suksesshmet, e përgatitur nën përkujdesjen e piktorit Gani Llalloshi, Ambasada e Kosovës në Slloveni ka shënuar mbrëmë dhjetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në pritjen e organizuar kanë marrë pjesë qindra mysafirë të ftuar, zyrtarë të lartë të shtetit slloven ndër të cilët sekretari i shtetit në MPJ, Andrej Logar, europarlamentari dhe ish-kryeministri slloven Lojze Petrle, deputetë të Kuvendit të Sllovenisë nga grupi i miqësisë me Kosovën, ambasadorë dhe anëtarë të akredituar të korit diplomatik në Slloveni dhe shumë kosovarë që jetojnë e punojnë në këtë vend.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe ministri i shëndetësisë i Republikës së Kosovës Uran Ismaili me bashkëpunëtorë që po qëndrojnë atje në një vizitë bilaterale.

Duke përshëndetur të pranishmit ambasadori Nexhmi Rexhepi tha se ky dhjetëvjetor është rast i mirë për të bërë një vlerësim substancial të të arriturave të vendit tonë. Ai u përkujtoi të pranishmëve se shteti i Kosovës është i ndërtuar mbi sakrificat e shumta shekullore për liri dhe pavarësi të popullit tonë.
“Por ne sonte duam të flasim më shumë për të sotmen”, është shprehur mbrëmë ambasadori Rexhepi, duke u përkujtuar të pranishmëve se ne tash po ndërtojmë një Kosovë të re mbi këto sakrifica edhe njerëzore por edhe materiale. Ai tutje u shpreh, se po krijohet një shtet i cili është shtëpi e të gjithë qytetarëve, i përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet ndaj vetvetes, rajonit dhe më gjerë. Ai është shprehur se ne e kemi bërë të qartë që jemi të gatshëm të falim, mirëpo jo të harrojmë.

“Fëmijët tanë duhet ta dinë se me çfarë kemi kaluar ne. Është e domosdoshme të dihet për kohën tonë dhe për të ardhmen – kush ishte viktima dhe kush agresori. Populli i Kosovës do të mbetet gjithmonë falënderues ndaj të gjitha shteteve të cilat kanë bërë përpjekje bashkërisht ta ndalin këtë pastrim etnik dhe shkatërrim total të vendit tonë”, ka thënë ambasadori Rexhepi mbrëmë në këtë manifestim.

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Slloveni, ambasadori Rexhepi përkujtoi se këto dy vende ndajnë histori të përbashkët të së kaluarës dhe çka është më e rëndësishme kanë qëllime të njëjta për të ardhmen. Mbi të gjitha këto dy vende i lidhë edhe një numër i madh i diasporës kosovare e cila jeton dhe vepron në Slloveni.

“Kosova i është përgjithmonë mirënjohëse Sllovenisë dhe popullit slloven për mbështetjen e vazhdueshme përgjatë të gjitha proceseve në të cilat ka kaluar Kosova”, ka thënë ambasadori Rexhepi.

Manifestimin e mbrëmshëm e përshëndeti me një fjalë rasti edhe Andrej Logar, Sekretar i Shtetit në MPJ të Sllovenisë i cili duke uruar për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës tha se vendi i tij do vazhdoj të kultivoj marrëdhëniet e shkëlqyera të miqësisë ndërmjet dy vendeve të cilat datojnë që herët. Ai tha se Kosova dhe Sllovenia kanë interesa të njëjta për paqe, fqinjësi të mirë dhe zhvillim në rajon dhe siguroi se vendi i tij do jetë gjithmonë përkrahës i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe në BE. / KultPlus.com

Të ngjajshme