Ambasadori i Kosovës në Akademinë e Studimeve Albanologjike

26 Prill, 2023 - 5:31 pm

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita priti në një takim pune Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, në prani të zv/rektorit të ASA-s, prof. dr. Valter Memisha.

Rektori Përzhita e informoi në detaje ambasadorin për përmbajtjen e marrëveshjes së fundit që u nënshkrua më 13 prill, mes ASA-s dhe Universitetit të Prishtinës, për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor dhe për të krijuar një strategji mbi transmetimin e dijes tek brezat e rinj, në fushat e albanologjisë, me qëllim përditësimin dhe pasurimin me teza të reja të dijes albanologjike.

“Jemi në një situatë krejt të re”, tha rektori Përzhita.

“Gjetëm mbështetje te drejtuesit e rinj të Universitetit të Prishtinës, personalisht te rektori, prof. dr. Qerim Qerimi dhe ramë dakord që në bazë të marrëveshjes, hapi i parë të jetë ngritja e një grupi të përbashkët pune për hartimin e projekteve strategjike në fushën e albanologjisë.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e përshëndeti këtë marrëveshje, e cila i hap rrugën më pas ndërtimit të programeve të përbashkëta në studimet Master dhe Doktoraturë në fushën e albanologjisë – arkeologji, antropologji social-kulturore, histori e gjuhësi.

Me hapjen e programeve të reja të edukimit, krijohen mundësi të shkëlqyera edhe për studentët nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tetovës që të plotësojnë gjithë boshllëqet e krijuara në dekada nga mungesa e edukimit në këto fusha.

Aktualisht ka shumë pak profesorë nga Prishtina që japin mësim në Tiranë.

“Ne do donim që Akademia e Studimeve Albanologjike, në një periudhë afatshkurtër dhe nën një perspektivë afatgjatë, të ishte shtëpia jonë e përbashkët e albanologjisë”, u shpreh rektori Përzhita./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme