18 Maj, 2021 - 11:27 pm
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve ka vizituar muzeun “Shtëpia me gjethe”.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ka publikuar dhe foto nga vizita e ambasadores në këtë muze.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim vizitoi Muzeun “Shtëpia me gjethe”. Këtë dëshmi të së shkuarës sonë jo fort të largët, kur të gjithë ishim të përgjuar. Ishte kënaqësi ta shoqëroja në këtë rrugëtim, së bashku me drejtoren e Muzeut, Etleva Demollari, për të treguar jo vetëm ç’ka ishim, por mbi të gjitha atë që duam të jemi!”, shprehet Margariti.
Ky muze shpalosë njëherësh pamje të shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat, mendjet dhe shpirtrat e njerëzve.
Përgjime, kontrolle, spiunime… që kanë sjellë arrestime, internime, tortura, dënime të rënda për shumë e shumë njerëz të pafajshëm… Atyre u kushtohet ky muze…
E konceptuar në 9 seksione, “Shtëpia me gjethe” përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./atsh/ KultPlus.com