Amerika mbyll muzeun e fjalës së lirë, falimenton “Newseum”

2 Janar, 2020 - 4:30 pm

Një nga muzetë më unikë në Uashington DC, i quajtur “Newseum”, u mbyll në prag të Vitit të Ri. Për 12 vjet, ky muze ka shërbyer si një mjedis ndërveprimi, kushtuar gazetarisë si dhe inkurajimit të mesazhit që përcjell Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane. Më shumë detaje, na sjell materiali i përgatitur nga korrespondentja e “Zërit të Amerikës”, Anna Rice.

Pjesë të murit të Berlinit dhe kullave binjake pas rrëzimit më 11 shtator të vitit 2001, makina e shpartalluar nga plumbat e një ekipi televiziv që punonte në ish-Jugosllavi, faqet e para të gazetave nga e gjithë bota, kanë qenë simboli i shtypit të lirë dhe Amendametit të Parë të Kushtetutës Amerikane për më shumë se një dekadë të ekspozuara në godinën e Newseum-it, që ndodhet në zemër të kryeqytetit amerikan, Uashington DC.

Pasi qëndroi i hapur për më shumë se 12 vjet, muzeu falimentoi. Ndërtesa që e strehoi atë gjatë gjithë kësaj periudhe i është shitur universitetin Johns Hopkins për 372.5 milionë dollarë.

Ideja për Newseum-in nisi mbi njëzet vite më parë, nga themeluesi ynë Al Neuharth, me qëllimin për të edukuar e zhvilluar biseda në lidhje me Amendamentin e Parë të Kushtetutës dhe profesionin e gazetarisë. Kjo ide u jetësua në Rosslyn-in të Virxhinias, në një muze të bukur dhe pas rreth një dekade atje, u transferua këtu në Uashington DC”.

Për të blerë godinën që ndodhet shumë pranë Kongresit u shpenzuan me miliona dollarë. Por megjithëse u arritën të gjitha objektivat e parashikuar, muzeu nisi të përjetojë probleme.

“Amendamenti i Parë, liria e fjalës dhe e shtypit janë të rëndësishme. Jam rritur duke besuar në këto vlera dhe tashmë mendoj se ato janë në rrezik këtu në vendin tonë. Kjo është diçka e trishtë”, – thonë Tiffany dhe Jessica Crabtree, vizitore të Newseum-it

“Është shumë e trishtueshme ta shohësh tek mbyllet. Ka kaq shumë histori të dokumentuar ….Kjo të bën të mendosh se sa i rëndësishëm është një shtyp i lirë”, – thotë Seth, vizitor i Newseum-it.

Mbyllja e Newseum-t vjen në një kohë të vështirë për gazetarinë tradicionale. Rreth 2 mijë gazeta amerikane janë mbyllur gjatë 15 viteve të fundit. Sipas sondazhe të Gallup-it, më pak se gjysma e popullsisë amerikane i besojnë medies, një rënie e madhe nga më shumë se 70 për qind që llogaritej në vitet 1970.

Gazetari Ron Lyons, thotë se ai erdhi në Uashingtom DC nga Detroit, posaçërisht për të parë Newseum-it.

“Kjo është ajo për të cilën po luftojmë. Kjo është arsyeja pse punojmë si gazetarë, jo thjesht për të marrë çmime e tituj, por për të treguar se liria e shtypit dhe zëri i publikut janë të rëndësishme”, – thotë Ron Lyons, gazetar.

Drejtuesit e Newseum-it shpresojnë ta vazhdojnë misionin me fokusin në profesionin e gazetarisë dhe shtypit të lirë, në një forum në internet. /KultPlus.com

Të ngjajshme