Amire Demolli hapi ekspozitën e parë personale, Pantina: Veprat e artistes janë befasuese dhe inkurajuese për gjeneratat e reja

19 Korrik, 2022 - 3:07 pm

“Hyjnesha në fron”, “Dea Dardanica”, “Unaza e Princeshës”, “Përkrenare Ilire” e vepra të tjera që prekin në lashtësinë e kulturës dhe historisë shqiptare, janë veprat që përbëjnë ekspozitën “E kaluara drejt përjetësisë- Artefakte” të Amire Demollit, që në mbrëmjen e së hënës sapo hapi portën e kësaj përvoje, duke shënuar kështu ekspozitën e parë personale, shkruan KultPlus.

Nën tingujt e violinës, dhe në shoqëri të kuratorit të kësaj ekspozite Xhevdet Pantina, sikurse edhe nga Skënder Boshtrakaj, Amire Demolli është shprehë të jetë e lumtur dhe falënderuese për ata që besuan në punën dhe artin e saj, e veçanërisht Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte që edhe e ka mbështetë këtë ekspozitë.

Kurse kuratori i ekspozitës Xhevdet Pantina ka thënë para të pranishmëve se pavarësisht se kjo ekspozitë është ekspozita e parë e autores, arti i Amire Demollit, sipas tij sjell një veçori të këtyre punimeve, të cilat janë befasuese dhe inkurajuese për gjeneratat e reja.

Ndërkohë, përderisa kjo ngjarje kulturore për audiencë në masë të madhe kishte mantelbardhët, pasi që Demolli është edhe kirurge në Kirurgjinë Plastike, Skënder Boshtrakaj ka thënë se duke parë punën e saj artistike, na bën të besojmë që kemi të bëjmë edhe me një kirurge të besueshme, që nesër, sipas tij, mund t’ia besojmë edhe trupin tonë.

“Amire Demolli ka lidhë një momentum, atë të mjekes së re në frontin e kujdestaritë, me frontin tjetër, atë të ateliesë”, ka thënë Boshtrakaj, i cili ka thënë se ndërlidhja e mjekësisë me artin, sikurse që ka bërë në këtë rast Amire Demolli është një shembull i mirë për gjeneratat e reja.

Amire Demolli studimet dhe masterin për pikturë i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, e cila në të njëjtën kohë ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe aktualisht është në specializim në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“E kaluara drejt përjetësisë- Artefakte” është ekspozitë e hapur për të gjithë ata që duan ta shohin nga afër, ekspozitë që përfshinë 15 vepra të punuara në teknika të ndryshme, por që dominon akrili në pëlhurë./ KultPlus.com

Të ngjajshme