Andi Tepelena: “Onufri” ka 24 vite histori, s’mund ta mbyllë Kumbaro

26 Dhjetor, 2018 - 4:32 pm

Mbyllja e Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri” pa dhënë asnjë shpjegim të argumentuar është kontestuar nga artistët që kanë qenë pjesë e saj ndër vite. Kuratori i artit, Andi Tepelena, e quan një vendim të përkohshëm politik, që do të zhbëhet sapo Kumbaro mos të jetë më në krye të Ministrisë së Kulturës, sepse ekspozita u përket artistëve!

Anila Dedaj

Mbylljen e Ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” e shoqëroi heshtja e drejtuesve të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Ministrisë së Kulturës përgjatë gjithë vitit. Mungesën e informacionit dhe iniciativave konkrete për të realizuar konkursin gjatë 2018-ës, komuniteti artistik, mediet dhe publiku e konsideruan si një “kyçje” për këtë vit të aktivitetit. Mirëpo komunikata për shtyp e bërë me dije dy ditë më parë nga GKA, lë të kuptojë se një vendim i tillë është afatgjatë. Kuratori dhe menaxheri i artit (gjithashtu përfaqësues i Skenës së Pavarur Kulturore) Andi Tepelena e konsideron një vendim jo përfundimtar. “ Ekspozita mund të qëndrojë e mbyllur sa të jetë në postin e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, por me largimin e saj natyrisht që vendimi do të rishikohet”. Ashtu si të gjithë kolegët e tij (ose pothuajse) ai shprehet kundër mbylljes së këtij konkursi, dhe thekson se ministrja e Kulturës nuk e ka tagrin  për të mbyllur një ekspozitë që i përket artistëve dhe publikut. “Rrjedhimisht edhe vendimi për vijueshmërinë ose mbylljen e ekspozitës duhet t’i takojë komunitetit artistik”. Vendime të tilla, sipas Tepelenës, nuk mund të merren me arrogancën e drejtuesve të institucioneve në fjalë, pasi “Onufri” është një platformë e artit bashkëkohor e krijuar për të nxitur prodhimin artistik në vend, për promovimin e artistëve duke u dhënë atyre mundësinë për të krijuar kontakte edhe me artistët e huaj ndërkombëtarë.“‘Onufri’ nuk ka nisur me ministren e Kulturës, pasi ka 24 vite histori, dhe menaxhim i kësaj ekspozite, çelja apo mbyllja nuk mund të bëhet sipas tekave të ministrave që vijnë e ikin. Problemet me konceptimin e këtij konkursi natyrisht që nuk mund t’i evidentojë Kumbaro, pasi ajo nuk është eksperte e artit bashkëkohor. Është përkthyese dhe konkluzione të tilla le t’i shprehë  në fushën e saj që njeh më mirë. Ministria e Kulturës duhet t’u lërë hapësirë mendimi ekspertëve të fushës, kuratorëve, kritikëve. Nuk po ndalem tek ndikimi i drejtuesit të Galerisë, sepse në këndvështrimin tim ai është thjesht një ‘ushtar’”. Kuratori thekson se në të tilla raste janë të nevojshme tryezat e diskutimit, ku specialistët analizojnë aktivitetin duke nxjerrë përfundimet përkatëse. “Sigurisht që ashtu si çdo aktivitet ka pika që duhen përmirësuar, por i takon komunitetit artistik , publikut dhe specialistëve të vendosin për cilësinë dhe vlerat e ‘Onufrit’”.  Detyra e Ministrisë së Kulturës, sipas Tepelenës, është që të mbështesë financiarisht këtë ekspozitë, sepse ngërçi real qëndron pikërisht në këtë pikë. Sipas tij, financimi i ulët i këtij aktiviteti tregon qartazi mungesën e vullnetit që “Onufri” të arrinte nivelet e duhura. “Si mund të pretendojë ministrja një “Onufër” të standardeve të larta kur buxheti i këtij konkursi shkon në 7000-8000 euro?! Një fond më i përshtatshëm do të ftonte dhe nxiste artistët vendës edhe më, të punonin vepra posaçërisht për konkursin, si dhe të jenë më të hapur ndaj artistëve të huaj. “Onufri” nuk duhet trajtuar si të ishte një “dyqan” i rëndomtë, që mbyllet e hapet sipas dëshirës së drejtuesve të institucioneve të Kulturës. “Onufri” është një platformë, dhe nuk mund të mbyllet në këtë formë, sigurisht që koncepti mund të ndryshohet dhe të përmirësohet në aspektin e përshtatjes së artit bashkëkohor”. Përsa i përket iniciative të reja të premtuara për ekspozita ndërkombëtare dhe shkëmbime kulturore, sipas kuratorit nuk ka kuptim që “Onufrit” t’i ndryshohet emri, duke e shpallur si një ekspozitë të re, sepse në fund artistët janë po të njëjtët. “Mjafton që ata t’i orientosh dhe t’u japësh mundësi që ata të prodhojnë. Ajo që po ndodh me ‘Onufrin’, shkon përtej mbylljes së aktivitetit, pasi pasqyron më së miri politikat kulturore, duke filluar që nga mënyra se si zgjidhen drejtorët në këtë vend. Kam parasysh jo vetëm drejtuesin e Galerisë Kombëtare, por edhe të institucioneve  të tjera.  Siç po ndodh tani edhe me Teatrin Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’, drejtuesit zgjidhen me emërime. Pra janë drejtorë ‘ushtarë’, që zbatojnë urdhërin e ministrave të radhës”. Tepelena thekson se drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme janë politikë dhe jo të zgjedhur nga komuniteti, apo përmes votimeve siç ndodh në vendet demokratike. Sipas tij, këta drejtues janë njerëz që nuk kanë autoritetin dhe integritetin e duhur që në vendime si ai i mbylljes së “Onufrit” të konsultohen me komunitetin e artistëve.  Përsa i përket rolit të Bordit Artistik (Ornela Vorpsi, Zef Paci, Eleni Laperi (kryetare), Edi Muka, Luçjan Bedeni, Sofjan Jaupaj dhe Xhoana Agolli) të Galerisë në mbylljen e ekspozitës kuratori shprehet: “Kush janë ata që merrkan vendime në emër të të gjithë artistëve?  ‘Onufri’ ka kaluar me dhjetëra kuratorë, në një kohë që 7 anëtarë bordi, ku të paktën tre prej tyre janë nënpunës të Ministrisë së Kulturës marrin vendime të tilla, duke shpërfillur mendimin e artistëve që veprojnë në këtë vend. Atëherë kush janë ata dhe kë përfaqësojnë në një situat të tillë, nëse jo komunitetin e artistëve? Do të thotë që përfaqësojnë vetveten”.  Kuratori shprehet se ekspozita “Onufri” ka krijuar një emër dhe ka lënë gjurmë të pamohueshme në fushën e artit pamor. Ai rrëfen se ende sot kontaktohet nga artistë dhe kuratorë të huaj të cilët janë të interesuar të dinë mbi ecurinë e kësaj ekspozite, pasi dëshirojnë të marrin pjesë. Tepelena kujton se para 3 vitesh pati një diskutim të ngjashëm nëse “Onufri” duhet të mbyllej ose jo dhe vendimi i komunitetit artistik për vijueshmërinë e aktivitetit u pasua nga një ekspozitë e niveli të lartë një vit më pas. “Është e qartë se nëse artistët nxiten të krijojnë gjatë vitit normalisht që performanca do të rritet. Diçka e tillë vlen, jo vetëm për ‘Onufrin’, por me të gjitha aktivitet kulturore. Përpos kësaj në këtë vend mungojnë strukturat e posaçme që duhet të merren me artin bashkëkohor”. Përsa i përket rikonceptimit të premtuar të Galerisë gjatë vitit të ardhshëm, kuratori shprehet se nuk mund t’i perceptojë vendime të tilla që merren me dyer të mbyllura. “E theksoj se duhet të krijojnë mundësinë për  debate të hapura, pasi çështje të tilla si ‘Onufri’ prekin një komunitet të gjerë, ndërkohë që gjithçka vendoset brenda një rrethi të ngushtë njerëzish, që kryesisht janë ‘qokaxhinj’ pushteti. Njerëz, të cilët bien dakord për vendime të tilla, në pritje të një posti apo ‘peshqeshi’”.  Tepelena vë në dukje faktin se gjatë mandatit të Shkolollit nuk është zhvilluar asnjë takim ku të merrnin pjesë komuniteti artistik dhe të diskutohej, përkundrazi sipas tij, Galeria dhe Ministria e Kulturës kanë krijuar një situatë ku ekziston një mungese totale transparence, si dhe shfaqja e sjelljeve të tilla burokratike. “Ne sot nuk kemi informacion rreth ekspozitës së radhës në Galeri, pasi mungon kalendari artistik”.  Kuratori thekson se krahas mungesës së financimit dhe fondeve të nevojshme për zhvillimin e artit pamor, mungojnë hapësirat dhe strukturat që do t’u mundësonin të rinjve që dalin nga Fakulteti  i Arteve Pamorë të vinin në praktikë njohuritë. Ndaj ai thekson se vendime të tilla si mbyllja e ekspozitës, të pakonsultura dhe të marra në mënyrë arbitrare do ta varfërojnë edhe më shumë klimën artistike në vend”… /shekulli.com.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme