26 Nëntor, 2020 - 7:40 pm
Cardi B është në mesin e 100 artistëve që kanë kontribuar për një ankand të ri në internet të quajtur “Show Me the Signs”.
Reperi përdori një copë kartoni për të shkruar emrat e 34 burrave dhe grave të zeza të vrara nga policia, të tilla si Sandra Bland, Eric Garner dhe Breonna Taylor, bashkë me frazën “Thuaji Emrat e tyre”, shkruan The Guardian, përcjell KultPlus.
“Ne duam të dërgojmë një mesazh që jeta e gjithësecilit ka rëndësi, ju nuk mund ta thoni atë mesazh kur po lini jashtë gratë e zeza”, tha Shermena M Nelson, drejtore e programeve në Forumin e Politikave Afrikano-Amerikane, i cili është organizator i ankandit.
Fondet e mbledhura nga ankandi online në Artfizz, i cili mbyllet më 30 nëntor, do të shkojnë në Rrjetin e Nënave #SayHerName të AAPF, i cili ndihmon në sigurimin e strehimit, tarifave ligjore dhe kostove të tjera për nënat e grave që janë vrarë nga policia.
“Ka një kosto për vdekjen, ajo shkon përtej shpenzimeve të varrimit dhe përfshijnë ato financiare, shëndetsore e mendore. Humbja tragjike e dikujt ua ndryshon strukturën familjare. Ne po përpiqemi t’i mbushim boshllëqet aq sa kemi mundësi” , tha Nelson.
Shumë prej veprave të artit janë në formë protestuese, si ajo e Billie Eillish që thotë “Stop Vrasjes së njerëzve të zinj”.
Artistë të tjerë që janë pjesë e ankandit janë Jim Carrey, David Hockney, Rashid Johnson, George Condo dhe Marilyn Minter.
Artistja nga Los Angeles, Delia Brown ka paraqitur një vepër arti që përmban emrat e grave të zeza të vrara nga policia, shoqëruar me moshat e tyre, të cilat variojnë nga 26 deri në 72 vjeç. Në fund të veprës artistike shkruhet: “Unë nuk duhet t’i di emrat e tyre”.
“Është e vështirë të bësh një vepër arti për mungesën e drejtësisë, të cilën e përjetuan familjet e këtyre vajzave dhe grave. Unë i lashë shifrat të flasin vet, në një periudhë 5 vjeçare, vetëm dy oficerë u akuzuan për vrasjen e 48 grave dhe vajzave të pafajshme, të cilat ata duhej t’i mbronin”, u shpreh Brown.
Shitjet nga ky ankand do të ndihmojnë për financimet e tafiave shëndetësore, ligjore dhe anëtarësimin e më shumë grave në Rrjetin e Nënave. / The Guardian/ KultPlus.com