20 Tetor, 2018 - 2:04 pm
Anri Sala është definitivisht emër i njohur në artin shqiptar por edhe atë evropian.
Sala, gjithmonë një provokues me artin e tij, ka hapur ekspozitën e radhës.
“If and Only If” u hap me 15 tetor në Paris, qytetin e bukur evropian ku Sala e vendosi inspirimin e tij të radhës, përcjellë KultPlus.
Dy filma të ri nga Sala shtuar këtu edhe disa skulptura dhe një seri e vizatimeve janë pjesë e ekspozitës në Galerie Chantal Crousel.
Videoja, me emrin e njëjtë sikur ekspozita, bazohet në “Elegji për Solo Viola” të Stravinskit, duke përcjellë një udhëtim të një kërmilli në harkun e violës. Violisti Gerard Causse dhe kërmilli kësisoj kanë kontakt mes tyre, sepse ritmi i kërmillit ka rol në performancën e Causse.
Punët tjera në ekspozitë, jo më pak të rëndësishme, janë ‘Slip of the line’ dhe ‘Resting Spells’.
Në konceptin e ekspozitës thuhet se secila punë e ekspozitës eksploron efektin e një veprimi – shembull manipulimin, në një veprim ekzistues, situatë, objekt apo kompozim.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 24 nëntor të këtij viti.
Sala jeton në Berlin ndërsa që nga viti 1990 ai punon me medium të ndryshme artistike, përfshirë instalacionin, fotografinë, videon, skulpturat dhe vizatimet.