18 Korrik, 2018 - 11:30 am
Alberina Haxhijaj
“Take Over” është vepra e Anri Salës të cilën artisti e ka realizuar në vitin 2017, por që akoma vazhdon të ketë vëmendjen e publikut. Pikërisht “Take Over” tërhoqi edhe vëmendjen e qytetarëve në Prishtinë të cilët u mblodhën mbrëmë në Klubin e Boksit, për të diskutuar së bashku me artistin, shkruan KultPlus.
Artisti shqiptar Anri Shala, i cili është bërë i njohur në botën e artit bashkëkohorë dhe është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, ka ardhur edhe në Kosovë për të zbuluar më shumë rreth punës së tij. I ftuar nga Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë ai u paraqit në kuadër të Shkollës Verore si Shkollë.
Publiku i cili ishte i shumtë duke përfshirë këtu edhe vetë pjesëmarrësit e Shkollës Verore si Shkollë patën rastin që të shohin veprën e artistit “Take Over” si dhe të diskutojnë më shumë për të.
Take Over (2017) është një instalacion-video dhe zë i përbërë nga dy filma, i cili trajton tematikat kryesore në veprën e Anri Salës, duke eksploruar marrëdhëniet midis muzikës dhe rrëfimit, arkitekturës e filmit dhe cilësitë e ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës.
Pikënisjet konceptuale të “Take Over” janë dy vepra muzikore të njohura, të lidhura me kompleksitetin e historisë politike dhe kulturore, La Marseillaise dhe Internationale. Vepra këto të cilat sipas artistit në një mënyrë ishin të lidhura që nga fillimin dhe që e plotësojnë njëra-tjetrën shumë mirë.
“Herën e parë e dëgjoni pianistin duke luajtur ‘La Marseillaise’ ndërsa pianoja luan ‘Internationale’ dhe mundohet që ta marrë kontrollin ndërsa në pjesën e dyte është e kundërta. Sigurisht që kur këta dy filma luhen së bashku si një i vetëm i dëgjoni gjatë gjithë kohës të dy këngët dhe jo si këtu njëherë njërën dhe njëherë tjetrën”, sqaron ai duke treguar se njëkohësish ishte i interesuar edhe për lidhjen në mes të makinerisë dhe njeriut.
Kujtojmë se për të kompozuar këtë punë artisti ka bashkëpunuar me dy muzikantë për të bërë aranzhimin e këtyre dy këngëve.
“Është edhe pjesa ku pianisti mundohet që të marrë kontrollin dhe ta bëjë pianon që të luajë sipas tij, por pianoja nuk pranon pra është një si lojë ping-pong”, tregon artisti duke shtuar se i mbetet publikut për të vendosur se cili sipas tyre është fitues, pasi që kjo më shumë sipas tij është një lojë ndjekje.
Anri Sala për veprën “Take Over” ka punuar qe vet tingulli të përcaktojë filmimin pasi që ndryshimi i fokusit të kamerës në film është i lidhur me tonalitetet muzikore dhe lëvizjen e çelësave që e prodhojnë muzikën – edhe nëse sfondi i këtij sistemi mbetet i pakapshëm.
“Gjithë historinë e cila fshihet prapa llojshmërive të këtyre dy veprave sigurisht që nuk kam mundur ta shpalos mirëpo ky film hap një derë për këtë diskutim”, shprehet artisti i cili beson që shpesh herë nuk ka të bëjë vetëm më atë që thua por më kuptim që ka ajo që thua duke përfshirë këtu edhe kuptimin politik që mund të ketë.
Pikërisht këtu artisti zbulon edhe elementet e punës së tij që janë tingujt por edhe gjuha dhe konteksti që kanë fjalët, duke treguar sesi i ka integruar këto elemente në punët e tij të mëparshme.
“Ajo që është shumë e dukshme në punën time është dëshira për të kombinuar dy gjëra të pamundura, kontrollin por edhe lirin në të njëjtën kohë”, theksoi artisti.
Të dy filmat janë konceptuar fillimisht për t’u shfaqur njëkohësisht, me qëllim konkurrimin e njëkohshëm të tingujve të tyre përkatëse. Për këtë prezantim, filmat u shfaqen njëri pas tjetrit./ KultPlus.com