‘Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim’ nga Erzë Dinarama përzgjidhet projekti fitues për Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2025

13 Janar, 2025 - 6:34 pm

Me vendim të jurisë, “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” nga Erzë Dinarama është përzgjedhur si projekti fitues për Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2025.

“Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” eksploron ekologjitë në ndryshim të shkaktuara nga klima dhe migrimin e specieve si një çarje—një moment kur sistemet ekologjike, kulturore dhe hapësinore të vendosura tronditen, duke hapur mundësi për transformim. Duke u përfshirë me tensionet midis mjeteve shkencore parashikuese me drejtim global dhe realiteteve socio-ekologjike lokale, instalacioni kritikon zgjidhjet universale ndërsa përqafon pasigurinë e peizazheve në ndryshim. Ndërsa këto ndryshime ndërthuren me qeverisjen, mirëmbajtjen, praktikat kulturore dhe dinamikat gjeopolitike, pavijoni fton vizitorët të perjetojne errësirën dhe tensionet e këtyre dinamikave të pazgjidhura si një terren pjellor ku mund të lindin forma të reja të agjencisë dhe bashkëpunimit.

Erzë Dinarama është arkitekte, dizajnere ndërdisiplinore dhe hulumtuese që punon në ndërthurjen midis urbanizmit, arkitekturës së peizazhit dhe ekologjisë. Ajo hulumton kompleksitetin e sfidave mjedisore përmes shkencës dhe dizajnit, duke i bërë këto sfida të dukshme përmes hulumtimeve estetike.

Erzë ka qenë e angazhuar në aktivitete mësimore në institucione si Politekniku i Milanos dhe Torinos, ETH Zurich, Shkolla e Dizajnit në Milano, Domus Academy ne Milano dhe Universiteti Polis në Tiranë. Ajo ka publikuar hulumtimet e saj me Routledge dhe i ka prezantuar ato në konferenca si Acadia, eCAADe, CAADRIA dhe simpoziumi Digital Double (ETH Zurich Future Cities Lab dhe Digital Visual Studies i Universitetit të Zurich-ut). Punimet e saj janë ekspozuar edhe në Muzeun Pecci në Itali.

Në praktikën e saj profesionale, Erza ka bashkëpunuar dhe ka qenë pjesë e studiove dhe institucioneve, duke përfshirë Carlo Ratti Associati, Fondacionin Manifesta dhe Studio Olafur Eliasson. Ajo shërbeu si anëtare e jurisë për Thirrjen e Hapur të Manifesta 15 Barcelona, dhe ishte pjesë e ekipit të Carlo Ratti Associati që zhvilloi vizionin urban për Manifesta 14 Prishtina.

Erza ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, Politecnico di Milano dhe UC Berkeley dhe ka ndjekur një program specializimi mbi tranzicionin socio-ekologjik në projektimin territorial dhe urban në ETH Zurich dhe EPFL.

Si themeluese e Institutit SRD, Erza udhëheq një qendër ndërdisiplinore që eksploron dimensionet hapësinore të sfidave ekologjike. Aktualisht, ajo është artiste në rezidencë në projektin S+T+ARTS4WaterII, pjesë e programit të BE-së EU STARTS – Science, Technology, and Arts./ KultPlus.com

Të ngjajshme