Antikonformiste, magjepsëse dhe skandaloze, Tamara de Lempicka

23 Shtator, 2019 - 9:00 pm

Tamara de Lempicka e njohur si “baronesha me penel”, është një nga artistet më të vlerësuara të elitës hollivudiane. Antikonformiste, magjepsëse dhe skandaloze.

Një grua që revolucionarizoi artin, por edhe feminitetin. dashuroi burra dhe gra, të cilët shpesh ishin subjekt i kompozimeve të saj, frekuentoi klube nate, madje arriti deri atje sa u fut e maskuar në lokalin “Rose”.

E përvuajtur, e emancipuar, biseksuale e deklaruar, sa magjepsëse, aq edhe shqetësuese për kohën, Tamara de Lempicka është piktorja ikonë e viteve të çmendura.

Piktorja e famshme lindi në Varshavë më 16 maj 1898. Boris Gurwik-Gorski, i ati, një çifut i pasur rus, u largua që herët nga jeta e saj, artistja deklaroi se prindërit ishin divorcuar, të tjerë hamendësuan vetëvrasje, si rrjedhojë Tamara u rrit me nënën dhe dy vëllezërit. Në vitin 1907, shoqëroi gjyshen Klementine në një udhëtim në Itali dhe Francë, gjatë së cilës ajo mësoi bazat e pikturës.

Sudimet i zhvilloi mes Zvicrës dhe Polonisë, duke u zhvendosur më pas në Shën Petërburg, ku u njoh edhe me burrin e saj të ardhshëm, avokatin Tadeusz Lempicki, me të cilin u martua në vitin 1916. Gjatë revolucionit rus çifti u arratis në Paris, ku Tamara filloi të studionte pikturën me mjeshtër si Maurice Denis dhe Andre Lhote.

Stili i saj u ndikua fuqishëm nga lëvizja artistike “Art Deco”, gjithnjë duke ruajtur origjinalitetin e vet. Ekspozitën e parë e mbajti në vitin 1922. Në vitin 1924, ajo takoi Marinetin në një lokal: vendosën të shkonin të përflaknin Luvrin, qëllim i cili i çoi në rajonin e policisë. Shumë shpejt arriti majat e suksesit dhe më 1928 u nda nga i shoqi. Qe mysafire e Gabriele D’Anunçio.

Në vitin 1933 u martua me Baron Raul Kufner de Diosegh. I ra rreth e rrotull Evropës, u zhvendos në Kaliforni në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhe së fundmi në Nju Jork, në vitin 1943. Pas vdekjes së burrit të dytë, në vitin 1961, Tamara shkoi të jetonte në Hjuston të Teksasit, ku zhvilloi një teknikë të re pikture, që konsistonte në përdorimin e spatulës në vend të penelit.

Pikturat e reja, të përngjashme me artin abstrakt, u pritën ftohtë nga kritikët, aq shumë saqë piktorja u zotua të mos i ekspozonte më në publik veprat e saj. Vdiq në vitin 1978, nga asfiksia në frymëmarrje: duhej të flinte me maskën e oksigjenit, por e gjetën pa të. Sipas amanetit të saj, u dogj në krematorium dhe hirin ia shpërndanë në vullkanin Popocatepetlit.

Piktura e saj, e përbërë gati ekskluzivisht nga portrete, shprehje e mjedisit të shoqërisë së lartë dhe aristokracisë, pjesë e së cilës qe edhe artistja midis dy luftrave, zbulon një interpretim personal të frymës kubiste krahas një vërtetësie të theksuar.

Artistja është vlerësuar shumë nga këngëtarja Madona, që është edhe koleksionistja e saj më e madhe, si dhe Barbra Streizën. Vëmendja që i kushtuan persona të rëndësishëm të artit veprave të piktores kontribuoi në rivlerësimin e saj.

Përveç natyrave të vdekura dhe portreteve të fëmijëve, ajo pikturoi femra lakuriqe të kolme me buzë shumë të kuqe, kompozime që të sjellin ndërmend pikturat e Rilindjes. Lëkura është aq e rrëshqitshme si porcelani, drita që luan mb trup si në një studio fotografie. Pikturoi kryesisht femra lakuriqe, por edhe meshkuj, nën tiparet e bashkëshortit.

Me cingarishten e saj të përjetshme, ajo ishte mishërimi i “Art Deco”. Rrugës drejt lavdisë, ajo i kishte vënë kryqin shpirtit sllav dhe keqardhjeve ruse./konica.al/KultPlus.com

Të ngjajshme