20 Shtator, 2018 - 9:05 pm
Tashmë nuk është hera e parë që shohim projekte nga arkitektë kosovarë në faqet më të njohura botërore, më bashkëpunime të ndryshme, që i sjellin ata më afër dashamirësve të arkitekturës dhe dizajnit me projekte kudo nëpër botë.
Ata po vazhdojnë që të bëjnë të pamundurën për t’i treguar botës talentin e tyre në projektim dhe dizajn. Këtë së fundi e kanë bërë edhe dy arkitektë nga Kosova, të cilët në bashkëpunim me arkitektin irlandez Kieran Donnellan, dizajnuan kishëzën “Slidin Chapel” në Lebanon.
Emrat e Shpat Ademajt dhe Shqiprron Jusufit u shfaqën edhe në artikullin e ArchDaily-t rreth projektit të “Sliding Chapel”. Ndërtimi.info ka kontaktuar me të dy, për të folur rreth eksperiencës së tyre, projektit dhe si erdhën deri tek ky bashkëpunim.
Puna në një tavolinë me Kieran Donnellan, kishte ardhur në kuadër të punëtorisë “Meeting of Design Students” (MEDS-Takimi mes studentëve të dizajnit), e cila organizohet çdo vit në vende të ndryshme të botës, e që këtë vit u mbajt në qytetin Byblos të Lebanonit, ku ndër 200 studentë të tjerë, pjesëmarrës ishin edhe Ademaj dhe Jusufi nga Kosova.
Duke folur rreth pjesëmarrjes në punëtori, Ademaj tregon për takimin e tij për herë të parë me Jusufin:
“Në Byblos ka qenë takimi ynë i parë dhe bashkëpunim i drejtpërdrejtë, ku edhe kemi shkëmbyer idetë rreth projektit, dhe sigurisht, me Shqiprronin bashkë kemi kontribuar në përmirësimin e strukturës së këtij projekti dhe ideator në lehtësimin e kryerjes më efikase të projektit, edhe pse ideja e projektit ishte të bëhej në teknikën japoneze shou-sugi-ban”, tha ai.
Kërkesa e arkitektit Kieran Donnellan ishte për një kishëz, e cila do të ndërtohej në afërsi të Kalasë së Byblosit dhe do të shërbente për të gjithë njerëzit si një vendpushim për disa minuta, gjatë vizitës së tyre ne kala.
Kishëza është dizajnuar në mënyrë qe të duket sikur po rrëshqet poshtë kodrinës drejt detit që ndodhet poshtë saj.
“Pavijoni është ndërtuar nga drunj të ricikluar, e që është dashur të digjen sipërfaqësisht duke përdorur teknikën japoneze shou-sugi-ban”, shpjegon Ademaj.
“Për mua ka qenë hera e parë në këtë punëtori dhe projekti i parë në bashkëpunim më Shpatin”, shprehet Jusufi.
Megjithatë djemtë nuk e kanë në plan që të ndalen, ata tani po planifikojnë bashkëpunimin për projekte të reja së bashku.
“Planet e mija janë që së bashku me Shpatin të marrim pjesë si mësimdhënës (tutor) në vitin e ardhshëm në po këtë punëtori e cila do të mbahet në Greqi”, ka treguar Jusufi, për Ndërtimi.info.
Projekti “Sliding Chapel” menjëherë pas përfundimit u bë pjesë e uebsajteve të më të mëdha online si ArchDaily, Dezeen dhe Irishtimes./ Ndërtimi.info