Arkivat, ekspozitë dokumentare dhe fotografike për festat e Nëntorit

27 Nëntor, 2024 - 9:30 pm

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) vijon me aktivitetet në shërbim të promovimit të historisë kombëtare, në prag të festave të Nëntorit.

Në “Auditor”, në hapësirën kulturore dedikuar të rinjve, u zhvillua një leksion i hapur me nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” mbi Kongresin e Alfabetit, të mbajtur 116 vjet më parë në Manastir.

Në këtë aktivitet, ku ishte e pranishme drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka, mësuesja e historisë Yllka Muka dhe anëtarë të tjerë të stafit pedagogjik përkatës, nxënësit prezantuan referatet e përgatitura, në lidhje me vendimet e marra në Kongresin e Manastirit, si edhe me rolin e kësaj faqeje të lavdishme të historisë në shpalljen e Pavarësisë dhe në procesin e shtetndërtimit.

Po ashtu, pjesëmarrësit shpalosën disa krijime artistike nën tematikën e Pavarësisë dhe Çlirimit.

Në përmbyllje, DPA-ja paraqiti ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Një komb, një abc”, e cila përshkruan trajektoren e përshkuar për unifikimin dhe standardizimin e shqipes./ KultPlus.com

Të ngjajshme