Aromat dhe joshja e Florës, perëndeshës romake të luleve në tablonë e piktorit belg, Jan Massys

3 Tetor, 2019 - 3:30 pm

Me Florën ai nuk realizoi vetëm perëndeshën romake të luleve, por arriti të ngrinte në monument shprehës estetik idilikën e një stine dehëse dhe joshjen e asaj pranie të dlirë dhe plot epsh të femrës, femrës si simbolika e bukurisë, aromës, delikatesës, pllenimit dhe gjitha atij ceremoniali, me të cilën flora beh.

Jan Massijs ose Jan Matsys (c.1510 – 8 tetor 1575) ishte një piktor i Rilindjes Flamane i njohur për pikturat e tij të historisë, skenat e zhanreve dhe peizazhet. Ai gjithashtu fitoi një reputacion si një piktor i nudove femërore, të cilën e pikturoi me një sensualitet që të kujton shkollën e Fontainebleau. Ai i solli ata të ngarkuar me një alegori dhe shprehshmëri që tejkalonte sensualitetin, bukurinë, elegancën dhe sharmin, njëra prej të cilëve “Flora”, jo më pak e njohur se “Venera e Cythera”, 1561, gjithashtu një grua e cila ashtu sikurse Flora, janë të veshura prej një cohe transparente, e cila mund të realizohej vetëm nga mjetrat e penelit, kurrsesi jo si një ëndje fijesh, si ato të ëndrrave dhe epsheve, dëshirave dhe afshit, që piktori përdorë për të thurur velin e asaj bukurie të virgjër, asaj epjeje dehëse.
Flora e Jan Massys, 1559 është një pikturë e realizuar me bojra vaji në dru, me dimensione, 113,2 x 112,9 cm dhe me vendndodhje, Kunsthalle, Hamburg, Gjermani.
Jan Massys, djali i madh i Quentin Massys, pikturoi Florën, perëndeshën romake të luleve më 1559 si një përmbushje e galerisë së tij të nudove alegorike. Flora, në këtë pikturë sikur dëshiron të dhurojë bekimin e saj të pjellorisë. Ajo mban në dorën e djathtë të ngritur lart, tre karafila mbi një peizazh të theksuar nga horizonti i Antwerp. Lulet e kuqe dhe të bardha, aludojnë për ngjyrat e qytetit. Kthesat e katedrales dhe, nga bërrylja e saj, abati i Shën Michael është i dukshëm. Ekzaminimi më i afërt zbulon se lumi Scheldt në sfodn është i mbushur me anije, duke filluar nga galeritë detare deri te anijet më të vogla, të afta për të lundruar në kanalet dhe lumenjtë e rajonit. Flora ulet në një kopsht të një vile periferike. Fokusi dhe domethënia pikturore e Massys është një alegori e prosperitetit dhe paqes së Antwerpit. Massy tregoi qytetin në kulmin e tij ekonomik dhe artistik, pak para telasheve politike dhe fetare të mesit të viteve 1560 dhe 1570. Ai aludoi gjithashtu për sofistikimin artistik të qytetit. Perëndesha e harlisur u frymëzua nga nudet e shkollës Fontainebleau. Sidoqoftë, poza e Florës imiton Ariadën e Fjetur, një statujë romake e shekullit të dytë në Vatikan. Vista panoramike mund të jetë ekzekutuar nga vëllai i vogël i Janit, Cornelis, i cili u specializua në peizazhe, ashtu si Jan favorizonte pikturën e figurave.
Në totalin e saj kjo punë arrin të përcjellë gjithë atë shterrim ideje dhe ndjesoreje të piktorit, i cili është përpjekur dhe dukshëm i’a ka dalë të dëshmojë nëpërmjet kësaj pikturë gjithëçfarë ai ka dashur të tregojë për Antwerp, këtë qendër të rëndësishme metropolitane, e cila ka qenë dhe është e dyta në Belgjikë pas Brukselit. Aspekti joshës i pikturës është me gjasë vetëm pjesa manipuluese e kësaj “gracke” ku piktori fut adhuruesit, të cilëve u duhet të vëzhgojnë dhe të deshifrojnë përtej gjoksit të kërcyer të kësaj vajze ngasëse, përtej trupit të kulluar dhe linjave perfekte, përtej atij vështrimi depërtues dhe të mermertës së lëkurës së saj. Veshja që mbulon pjesën nga beli e poshtë është një mbulese me anë të grurtë, gjithashtu simbolikë e gjallërisë dhe vitalitetit të natyrës dhe njerëzores së përfshirë në këtë komunikim të ngarkuar plot veprim. Në kindin e kësaj mbulese ku shfaqet e pakët coha prej fryme që mbulon lakuriqsinë e saj, ajo mban një tufë lule, si thelbësore e alegorisë. Një detaj shumë domethënës janë edhe gishtërinjtë, si ato të duarve dhe ato të këmbëve që ndodhen po kaq të shfaqshme sa detajet e tjera. Gishtërinjtë janë një zgjatim i asaj mpleksje që njeriu ka me natyrën, me tokën, me shpërthimin e harbueshëm të jetës. Ato janë mes degëve të harlisura të pemëve që bulojnë dhe rrënjëve që rivitalizohen për të përthithur nevojën për një vitalitet stinor. Olimpi ku kjo perëndeshë rri dhe sodit është këndi ku piktori ka zgjedhur që nëpërmjet saj të tregojë gjithë Antwerp, si shpërblesë e kësaj perëndeshe. /AlbertVataj /KultPlus.com

Të ngjajshme