Art e piktura në veriun e tensioneve (VIDEO)

29 Korrik, 2023 - 9:31 pm

Piktura ndërton ura. Kjo moto pritet ta mbushë me njerëz e vepra artistike Qendrën e Kulturës “Kadri Kadriu” në lagjen Kroi i Vitakut, përtej Ibrit në Mitrovicë.

Ato do të punohen nga piktorë që u mblodhën aty të shtunën, raporton Klan Kosova.

“Me pas sa ma shumë të ri që e frekuentojnë, mos me qenë kjo larg për veriun e jugun se një Mitrovicë është. Me u ba një vend pikniku edhe për gjeneratat e reja”, deklaroi kuratori Veton Gusia i “Artistë për Artistë”.

Aktiviteti në këtë vend, që synohet të bëhet i përvitshëm, mori vlerësime pozitive. Nikoqiri i piknikut me ngjyra pret që kjo qendër arti të bëhet pikë frekuentimi nga të rinjtë.

“Kultura dhe arti është shpirti i popullit, në piedestal një popull e ngritë kultura dhe arti, andaj është shumë e rëndësishme sepse brezat e rijnë edukohen e frymëzohen”, tha Ali Kadriu, udhëheqës i QK “Kadri Kadriu”.

Organizimi artistik te Kroi i Vitakut u pa i rëndësishëm edhe për faktin se mbahet në një pjesë të Republikës ku tensionet nuk janë të rralla.

Të dielën do të shfaqen dokumentarë, e aktivitete do të ketë gjatë gjithë verës./KlanKosova/KultPlus.com

Të ngjajshme