28 Prill, 2018 - 1:10 pm
My Art Guides, që shërben si udhëzues thelbësor për të eksploruar botën moderne të artit bashkëkohor, ka realizuar një artikull edhe për Pavijonin e Kosovës në këtë edicion të Bienales së Arkitekturës në Venecia.
Shkrimi fillon me konceptin e Pavijonit të Kosovës, e që rrotullohet rreth idesë së “shtëpisë” si kompensim për qytetin.
“Përgjatë viteve të ’90-ta shqiptarët e Kosovës u përjashtuan nga të gjitha aktivitetet e jetës institucionale publike për shkak të situatës politike dhe konflikteve në ish-Jugosllavi. Si pasojë e kësaj shqiptarët e Kosovës krijuan sistemin paralel të institucioneve publike nëpër shtëpitë private në zonat periferike të qytetit”, shkruan My Art Guides.
“E gjithë jeta publike e shqiptarëve gjatë viteve ’90 për 10 vjet u sigurua në këto hapësira private të hapura nga shqiptarët e Kosovës për përdorime publike. Shtëpia u bë një metaforë për qytetin – ishte një hapësirë publike / shkollë / galeri / spital / dyqan / kafene dhe një shtëpi në të njëjtën kohë”.
“Pra, pjesa e brendshme është një dhomë dhe në të njëjtën kohë një hapësirë / institucion publik. Hapësira e rrethuar nga pasqyrat krijon një efekt të hapësirës dhe hapjes së zgjeruar si një metaforë e lirisë psikologjike, por jo fizike si e tillë, pasi që pasqyra është ende një pengesë fizike dhe e kundërta, ju jeni atje, por nuk jeni aty, ju jeni të lirë brenda, por ende të ngujuar”, është shkruar në My Art Guides.
Kuratore e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut për Arkitekturë, me titull “Qyteti është kudo”, është Eliza Hoxha ndërsa komisionere Jehona Shyti. / KultPlus.com