26 Shkurt, 2023 - 10:45 pm
Në Malësinë e Madhe, në aksin kombëtar që lidhet me pikën kufitare të Hanit të Hotit është vendosur një prej veprave të para të programit të ri të Ministrisë së Kulturës, “Art në hapësirat publike”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo vepër, e realizuar nga artisti Sadik Spahija.
Vepra artistike “Zabel”, me autor skulptorin Sadik Spahija, tashmë ka jetësuar rrethrrotullimin në daljen e Koplikut.
Kjo skulpturë poetike merr përsipër të interpretojë dhe të shkrijë natyrën me metalin, drurin dhe gjelbërimin, duke lënë një shije të mirë për të gjithë udhëtarët që përshkojnë këtë aks kombëtar i cili po pasurohet me vepra të tilla arti.
“Zabel”, është shpallur si një prej veprave fituese të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike”, koordinuar nga Ministria e Kulturës, në mbështetje të artistëve të skenës së pavarur.
Në Konkursin Ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike” u paraqitën 132 propozime të krijuesve nga vende të ndryshme të botës./atsh/ KultPlus.com