7 Nëntor, 2020 - 10:55 am
“Art në komunizëm” titullohet ekspozita e çelur në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku janë prezantuar koleksionet e artistëve të njohur shqiptar ndër vite.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot intervistën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli, për një emision televiziv.
“Mirëmëngjes me vlerësimin e posaçëm për Erzen Shkolollin, drejtorin e Galerisë sonë Kombëtare, që i ka dhënë jetë një ekspozite kaq unikale të koleksionit tonë shtetëror, me falenderimin për Rudina Xhungën që ka pasur ndjeshmërinë për ta ndërtuar këtë rrëfim kaq të qartë dhe me nxitjen që të mos e humbisni mundësinë për ta parë një shfaqje kaq spektakolare të arteve pamore, ju uroj një fundjavë të qetë”, – tha Rama.
Drejtori Shkololli tha se “gjatë gjithë kohës dhe gjatë çdo ekspozite kemi provuar të krijojmë një hapësirë të re për publikun. Gjithmonë hapësira që ishin prezente. Është një ndërtesë e jashtëzakonshme dhe një inspirim për mua si drejtues që nga dita e parë në një ndërtesë të Enver Fajës, i cili ka bërë një punë të mrekullueshme. Dhe sigurisht jemi munduar që me ekspozitën të kemi edhe një arkitekturë të re, një dizajn të ri, por edhe të hapim një hapësirë të re. E mira e hapjes së hapësirave të reja është sepse kushtojnë më pak sesa t’i ndërtosh”.
“Ne do të vazhdojmë të nxjerrim vepra të reja. Ekspozita vazhdimisht do të ndërtohet dhe plotësohet, sepse mendoj se është shumë e rëndësishme, sidomos në një vend që ka kaluar një periudhë të gjatë të mbylljes, në shumë aspekte. Mendoj që një transparencë e një pasurie të tillë, por edhe një institucioni si Galeria Kombëtare, qoftë me “Arkivin e hapur”, si kjo e punimeve, qoftë edhe me mundësinë për hulumtues, tekstshkrues, historianë, studentë, momentet që do të bëhen magjistratura dhe doktoratura”, – shton ai.
Sipas tij, është e rëndësishme për qytetarët, rininë, sidomos për rininë që të zbulojë koleksionin.” Secila vepër ka rëndësinë e vet, çka është jo tipike edhe pse jemi krenarë që i kemi dhënë secilit medium hapësirën e duhur. Në hyrje kemi karikaturën, në dyqanin e galerisë kemi qeramikën dhe vazot, tapiceritë. Në bibliotekë kemi grafiket, skulpturat dhe pikturat në hapësirë. Domethënë i kemi dhënë respektin e duhur secilit detaj, që e ruajmë në arkiv”, – tha Shkololli. /atsh/ KultPlus.com