Art nga burgu famëkeq i Guantanamos (FOTO)

10 Dhjetor, 2017 - 3:20 pm

“Odë detit” e kanë quajtur koleksionin e pikturave të realizuara nga të burgosur të kampit famëkeq të Guantanamos, e arsyeja është fare e thjeshtë.

Pjesa më e madhe e tyre pasqyrojnë oqeanin e ndodhur aq pranë, por të cilin praktikisht nuk e shohin dot.

I gjithë vendi është i rrethuar nga mure të larta e tela me gjemba, ndaj banorët e burgut të shumëdiskutuar mund të dëgjojnë zhurmën e oqeanit, mund t’i ndiejnë, ama kurrë nuk kanë mundur të shijojnë pamjen e blusë së tij të thellë, përveç një rasti në vitin 2014, kur afrimi i një uragani detyroi rojet të hiqnin barrierat për 4 ditë, transmeton tch. Të gjithë atë kohë, të burgosurit e shpenzuan duke vështruar dallgët, e sapo pëlhurat e gomuara u rikthyen në vend sërish, ata nisën të pikturonin duke hedhur në kanavace ndjesinë e lirisë së përjetuar.

Ka me qindra piktura, skulptura e punime të tjera me dorë, që askush nuk i kishte parë përpara. Shumë njerëz ndajnë bindjen se, veprat e të dënuarve të Guantanamos nuk duhen ekspozuar në publik, sidomos familjarët e viktimave të 11 shtatorit, por kuratorja që kujdeset për to, Erin Thomson mendon se duhen treguar, pavarësisht bindjes që mund të ketë gjithsecili mbi fajësinë e autorëve.

Punimet janë ekspozuar në kolegjin “John Jay” të drejtësisë penale në Manhattan, ku siç shpjegon Thompson, studiohet terrorizmi dhe burgosja, nëse ajo është e drejtë apo e gabuar. Për kuratoren, pikturat janë në thelb disa dritare të paçmuara drejt shpirtit të njerëzve që i krijuan./ KultPlus.com

Të ngjajshme