Arta Dobroshi kërcen për paqe dhe fotografitë e Pragës në luftë, dy ekspozita sjellin gëzimin dhe tmerrin

23 Maj, 2018 - 9:14 pm

Alberina Haxhijaj

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë hapur dy ekspozitat ndërvepruese me njëra tjetrën. Në këtë ekspozitë të fotografive të ndarë në “Prague 68” dhe “Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore”, u paraqit e kaluara dhe e ardhmja.


(Facebook: Dimitrios Machairidis)

“Prague 68” është një seri e fotografive të fotografit çek Oldřich Škácha. Fotografitë e ekspozuara sjellin dëshminë e tij pamore të dokumentuar me fotoaparatin e tij, në ditën e parë të intervenimit ushtarak sovjetik në Pragë, në vendet e ngjarjeve ku çekosllovakët paqësorë të shtangur vdisnin në Sheshin Wenceslav, në Sheshin e Qytetit të Vjetër dhe në selinë e Radio Çekosllovakisë.

Në anën tjetër “Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore” është një seri e fotografive të bëra nga fotografët e ndryshëm duke e dokumentuar nismën e aktores së ‘Lorna`s Silence’ për të frymëzuar njerëzit që të jetojnë në paqe dhe të respektojnë të tjerët. Në fotografitë e saj ajo kërcen me gëzim me fëmijë, me personalitete të njohura, me refugjatë, me diplomatë, me artistë e njerëz të tjerë. Askush nuk është superior në këto fotografi, të gjithë janë një për misionin drejt paqes në botë. Arta është kryefjala, një personazh gjithmonë i buzëqeshur, për të gjetur kënaqësi e paqe në planet.

Ambasadori i Republikës së Çekisë, Ivo Silhavy, që është kurator i kësaj foto-ekspozite dhe vetë një fotograf i pasionuar shpalosi momentin sesi ishte ndjerë vet kur kishte kërcyer së bashku me Artën. Pjesë e universit, i lirë dhe i lumtur, gjersa egon e tij e kishte lënë në tokë në momentin e fotografimit me aktoren që para disa vitesh u bë e para aktore nga Kosova në tepihun e kuq të Festivalit të Kanës.
Sipas tij të gjithë ne duhet të kemi fuqinë për të kërcyer mjaftueshëm lart për të kapur fatin në duart tona. Duhet besuar në të vërtetën dhe në dashurinë.

Ai theksoi se fotografitë bardhë e zi paraqesin të kaluarën, ndërsa ato me ngjyra të ardhmen, gjersa shpalosi më shumë detaje për to.

“Në fotografitë bardhë e zi nga ditët e okupimit ne i shohim njerëzit në rrugë të frikësuar, të shtangur, të pafuqishëm, mirëpo me një përcaktim në sytë e tyre. Në fotografitë me ngjyra të Artës dhe të miqve të saj përmes kërcimit ndajnë gëzimin dhe kënaqësinë e jetës me një dritë në sytë e tyre”, tha Silhavy.
Aktorja Arta Dobroshi,falënderoi të gjithë ata të cilët janë bërë pjesë e kërcimit të saj për paqe si dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar për realizimin e kësaj ekspozite.


(Facebook: Dimitrios Machairidis)

Sipas Artës, populli i Kosovës është shembull për botën se si të arrihet paqja, liria në një vend, pasi sipas saj me vite të tëra gjithë gjeneratat deri në vitin 1999 në Kosovë kanë protestuar për paqe dhe liri.
“Paqen dhe lirinë e kemi përjetuar aq shumë me zemër e me shpirt, sa e kemi reflektuar në gjithë vendin tonë dhe në të gjithë botën. Dhe sot, ne jetojmë në liri e në paqe. Fotografitë ku kërcej me hare për paqe në botë, janë reflektim i shpirtit tim dhe dëshirës time për paqe në krejt botën”, tha ajo.

Ajo për të treguar rëndësinë që ka paqja solli për të pranishmit një krahasim se si do të shkonte kjo ekspozitë nëse do të hapej 20 vite më parë, se sa të frikësuar do të ndjeheshin të gjithë të pranishmit.

“Nëse do kisha dashur që ta bëj këtë ekspozitë 20-të vite më parë nuk do të kisha mundësi, apo sikur ta bëja, do të ishim ndjerë të frikësuar. Të frikësuar se forcat policore do na gjenin e do të na dërgonin në burg pa arsye. Ndoshta edhe vetëm për shkak të gjuhës që flasim. Ne po ashtu do të siguroheshim që të arrinim të gjithë në shtëpi rreth orës 19:30 pasi të gjithë e dimë se ora policore fillon në 20:00. Mirëpo kjo është e kaluara dhe sot qëndrojmë në paqe”, tha Dobroshi në hapje të ekspozitës.

Sipas saj, 100 vite më vonë ndarjet dhe barrierat kufitare në mes të shteteve dhe njerëzve do të jenë absurde. Ajo ftoi që të mos presim 100 vite por të veprojmë sot që bota të jetë vend i paqes, ku të gjithë janë të barabartë.
“Ne mund të zgjedhim sot se çfarë do të tregojnë pasardhësit për ne”, theksoi ajo gjersa ftoi të pranishmit ti bashkoheshin udhëtimit të saj duke bërë gjithë të pranishmit që të kërcejnë për paqen.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për dy javë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com

Të ngjajshme