3 Mars, 2018 - 10:02 am
Piktori kosovar që jeton dhe vepron në Antwerp të Belgjikës, Artan Balaj, mbrëmë para publikut gostivaras u prezantua me 33 vizatime artistike.
Galeria private e fotografit të njohur artistik Osman Demiri , ishte vendi që tuboi artistët dhe studentët e artit figurativ, por edhe artdashës të shumtë nga Gostivari.
“Falënderoj piktorin Artan Balaj që na nderoi me këtë ekspozitë, me të cilën shënohet edhe fillimi i aktiviteteve të sivjetme të Galerisë Kult. Më gëzon fakti që sonte, edhe krahas motit kaq të çuditshëm, ju keni ardhur në një numër kaq të madh, e sidomos është kënaqësi që sonte kemi edhe kaq shumë studentë të artit figurativ, madje edhe të nacionaliteteve tjera”, theksoi në fjalën e rastit Osman Demiri.
Mbi veprat e Balajt foli profesori i artit figurativ në Fakultetin e Arteve pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, Safet Spahiu, i cili mes tjerash theksoi:
“Një pesë të këtyre veprave Artani i ka vizatuar në gjendje imobile, respektivisht i shtrirë në spital si i palëvizshëm, ndërsa pjesën tjetër e ka punuar duke pirë kafe dhe dallimi ndërmjet tyre mund lehtë të vërehet. Ato vepra që i ka punuar në spital janë më precize në aspektin teknik, ndërsa tek ato që i ka punuar duke pirë kafe, dominon një kolorit më i madh. Artanin do ta quaja Vasarely i kohës sonë, por në një formë ndryshe, në një formë të re, me një freski e cila ndoshta është edhe e inspiruar nga piktori hungarez Victor Vasarely. Punimet e tija, jo vetëm që janë artistike, por në vete përmbajnë edhe teknikë ë shkëlqyer”.
Artan Balaj ka lindur në vitin 1977 dhe Prishtinë. Jeton dhe punon në Antwerp, Bruksel/Belgjikë. Ka diplomuar dhe magjistruar në pikturë në Fakultetin e Arteve – Universiteti i Prishtinës. Ka realizuar 9 ekspozita personale në Belgjikë, Holandë, Itali, Meksikë, Poloni, Rumani dhe Kosovë. / KultPlus.com