22 Shtator, 2017 - 9:32 pm
Arbër Selmani
27 piktura janë shpërndarë në hapësirën e Galerisë Qafa në kryeqytet, që sonte të sjellin secila një ngjyrim tjetër e të veçantë. “Heroika”, punë e vitit 2009-të, është e para që të pret në hyrje të Galerisë. Teknika në alumin, teknika në pëlhurë, akriliku dhe vaji janë mediumet që artisti i radhës në këtë galeri i ka përdorur në punët e tij.
E premtja e 22 shtatorit solli në këtë galeri artistin Artan Draniçi, me ekspozitën “E shkuara: e ardhmja e së tashmes”. Diku në hapësirën e Galerisë së Ministrisë së Kulturës vjen edhe inspirimi i artistit mbi disa punë të Marubit, apo edhe Dekolazhi – një pikturë me teknikën e përzier në alumin që sjellë popullin e Tiranës duke pritur të akuzuarit e gjyqit të At Anton Harapit në shkurt të vitit 1946.
Draçini kësisoj erdhi me ekspozitën e tij të parë në Kosovë, një dëshirë e tij e kamotshme, që arti i tij të provojë të puçet me audiencën kosovare, gjë që ndodhi sonte në hapjen e kësaj ekspozite, shkruan KultPlus.
Fillimisht për ekspozitën foli kritikja e artit dhe kuratorja Suzana Varvarica, e cila tregoi se u përmbush e tëra emocionalisht me punën e artistit Draniçi.
“Arti i Draçinit është trashëgimi e qëndrueshme e Shkodrës, qytetit që na ka lënë në shijet tona kulturore edhe punën e Kolë Idromenos, Simon Rokës, Edi Hilës e Adrian Pacit. Do ta vendosja në këtë listë me kompetencë vetjake e pa drojë edhe emrin e Artan Draçinit. Jam ndier e plotë kur kam parakaluar në veprën e tij e cila përmban, secila prej tyre, emocion dhe konkretizim të një të shkuare që vjen me keqkuptime, ironizime e realitete të pashmangshme pozitive” tregon mes tjerash Varvarica në hapjen e kësaj ekspozite.
Qëllimi kuratorial i Varvaricës duke shpalosur këtë ekspozitë është ndërtimi i një historie, ku e shkuara vjen me detaje të rëndësishme e të parëndësishme, me të domosdoshmen kulturore që ndikon tek përgjegjësia e brezit të sotëm mbi artin.
Punën e artistit ajo e ka quajtur një punë me teknikë të lartë të realizimit estetik dhe artistik.
Një shëtitje nëpër ekspozitë e çon shikuesin në tablo të ndryshme emocione. Nga Tirana, tek gruaja e Marubit por e sjellë në formë unike nga Draçini, heroi pak i harruar, Si me kenë Palazzo Spada dhe punë të tjera që e sjellin të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen në kontekste e lokacione të ndryshme.
Vetë artisti në hapjen e kësaj ekspozite tregon se pos që ky është rast i mirë të takojë miqtë e tij në Prishtinë, ai po e sjellë ekspozitën sepse ajo në një mënyrë përket aty.
“Kjo ekspozitë paraqet një proces individual të kërkimit në të tri kohët për të cilat flet ekspozita. Fillimisht nuk jam nisur gjithmonë për fotografi por ajo ka dalë të jetë mediumi më inspirues. Më vjen mirë që jam në Prishtinë sepse dëshiroj që dialogu kulturor të jetë sa më frymëzues” tregoi për KultPlus artisti Artan Draçini.
Draçini ka lindur në Shkodër ndërsa ka përfunduar studimet pasuniversitare në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në vitin 2013-të. Ka punuar si mësues pikture dhe më pas lektor i lëndës së vizatimit e grafikës. Është fitues në vitin 2011-të i Konkursit Mbarëkombëtar “Guri Madhi” në Korçë ndërsa ka ekspozuar në Tiranë, Shkodër, Berat, Paris, Strazburg e tash edhe në Prishtinë. / KultPlus.com