8 Gusht, 2017 - 11:55 am
Dan Gashi, artisti nga diaspora, në kuadër të aktiviteteve kulturore dedikuar diasporës, do të hapë ekspozitën e tij personale me piktura, përcjellë KultPlus.
Ekspozita vjen me moton “Arti bashkon popujt” dhe do të hapet në qytetin e Gjakovës.
Ekspozita hapet më datë 11 gusht në ora 12:00, në Pallatin e Kulturës ”Asim Vokshi”.
Dan Gashi ka lindur në vitin 1947 në Ujz të Gjakovës. Mbi dyzet e gjashtë vite jeton dhe punon në Baden të Gjermanisë. Që herët është marrë me krijimtari artistike, që nga arti popullorë (folklorik), me poezi si dhe me pikturë.
Në opusin e tij krijues dominojnë motivet e vendlindjes, paqes, dashurisë, si dhe portretet e figurave të shquara kombëtare, posaçërisht ato me ndikim dhe kontribut universal edhe për vet globin. Deri më tani artisti ka pasur ekspozita të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, individuale , kolektive, ku me punimet e tija është prezantuar në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Spanjë, Rusi, Egjipt, e së fundmi bashkë me piktorë gjermanë dhe polakë, është prezantuar në Poloni. / KultPlus.com