12 Korrik, 2018 - 12:00 pm
Grafiti në sheshin Nënë Tereza është zbehur ngadalë që nga maji, por ende është i lexueshëm. “KUR JE HOMOFOB NUK JE VETJA”, shkruan me shkronja të mëdha, ndërkohë që njerëzit ecin në qendrën e qytetit të Pirshtinës.
Aktivistët thonë se vetëm para disa vitesh as nuk mund të mendohej për artin anti-homofobik të rrugës. Por a sugjeron kjo një pikë kthimi për lëvizjen LGBTI në vend?
Lendi Mustafa, aktivist i cili më herët ishte pjesë e Qendrës për Emancipim Shoqëror (QESh), tha se kjo shënon një zhvillim të ri për aktivizmin LGBTI në Kosovë. Arti i pa-autorizuar i rrugës pasqyron punën e aktivistëve individualë, përveç shoqërisë civile të organizuar.
Mesazhet ishin ngjyrosur në vende të ndryshme nëpër trotuare afër sheshit Skënderbeu. Ato u shfaqën në orët e hershme të 17 majit të këtij viti, që u ndërlidhën me Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (DNKHT).
DNKHT, e shënuar për herë të parë më 2005, është e pranuar nga Kombet e Bashkuara dhe ka 130 vëzhgues kombëtarë në mbarë botën, sipas organizuesve ndërkombëtarë të saj. Dhe këtë vit vit, organizatat duke përfshirë Qendrën për Barazi dhe Liri (QBL) dhe Qendrën për Zhvillim të Grupit Shoqëror (QZhGSh) u siguruan që ta monitoronin edhe Kosovën.
Por ata nuk ishin të vetmit që po garonin për vëmendjen e publikut. Sipas Liridon Veliut, menaxher i programeve në QZhGSh, mesazhet me gjasë ishin pjesë e “një fushate për ngritje të vetëdijes”, të shkruara nga aktivistët e pavarur.
Edhe pse grafiti u shfaq gjatë DNKHT, nuk ishte pjesë e aktiviteteve të organizuara nga QZhGSh apo partnerët e tyre në QBL. Veliu tha se me sa ka dijeni ai, “asnjëra nga organizatat që merren me të drejtat e LGBTI nuk i kanë shkruar mesazhet me sprej në sheshin Nënë Tereza”.
Derisa përgjegjësit për këtë mbeten mister, mesazhi i grafitit është i qartë: ta çojë opinionin publik drejt pranimit më të madh dhe barazisë shoqërore për kosovarët homoseksualë.
Statistikat e publikuara këtë vit nga OSBE-ja për perceptimin e publikut tregojnë se 44 përqind e grave kosovare dhe më shumë se 70 përqind e burrave kosovarë, deri diku nuk ndihen mirë lidhur me homoseksualët. Rreth gjysma e kosovarëve (64 përqind e burrave dhe 41 përqind e grave) do të turpëroheshin nëse fëmija i tyre do të ishte homoseksual apo lesbike.
Nëse arti i rrugës tregon saktë, këta numra sugjerojnë se shumëkush në Kosovë ‘nuk është vetja’. Po ashtu sugjeron se për çfarëdo fushate kundër këtyre paragjykimeve do të nevojitet kohë dhe këmbëngulësi për të pasur një efekt afatgjatë. Menaxherja e programit në QBL, Rina Braimi e sheh ndryshimin, edhe pse të ngadaltë, në të mirë të aktivizmit të LGBTI dhe barazisë më të madhe në Kosovë. Ajo filloi tre vite më parë si vullnetare, dhe sot mbikëqyrë një varg më të gjerë të aktiviteteve dhe ngjarjeve për ngritje të vetëdijes.
Pak kohë pasi Braimi filloi punën me këtë organizatë në vitin 2015, Kosova e bëri ligjin e parë kundër diskriminimit i cili shtyri përfshirjen e identitetit gjinor si kategori e mbrojtur. Megjithatë, sipas saj, viti kyç për këtë lëvizje ishte 2017 kur ajo ndihmoi në organizimin e Marshit të parë të Krenarisë në Prishtinë, përkrah aktivistëve të tjerë të QBL dhe QZhGSh.
Kjo ngjarje krijoi një ndjenjë më të gjerë të vetëdijësimit së publikut, dhe për shumë persona që i përkasin komunitetit LGBTI krijoi vendin e parë të sigurt ku ata mund të ishin vetvetja në publik. Para vitit 2017, ky komunitet ishte kryesisht ‘nën hije’, tha Braimi. Pas vitit 2017? “Mediat kishin më shumë qasje në komunitet, nëpër OJQ, në gjithçka.”
Festimet e DNKHT këtë vit ishin realizuar pak a shumë për të njëjtën arsye, për të ngritur vetëdijen. Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë fillimisht ishte krijuar për t`i luftuar perceptimet e dëmshme, të bazuara në turp për homoseksualët dhe lesbiket anekënd botës. Në vitin 2009, komiteti i DNKHT e zgjeroi definicionin për t`i përfshirë edhe biseksualët dhe transgjinorët.
Më 17 maj, organizatorët e hapën një ekspozitë të quajtur “Qe Pse!” në qendër të Prishtinës për DNKHT.
Kjo ishte përgjigjje ndaj publikut që pyeste pse ishin të nevojshme ngjarjet e krenarisë së LGBTI-së tetorin e kaluar. U prezantuan një varg kërcënimesh të ndryshme homofobike dhe transfobike dhe gjuhë urrejtjeje që u ishte drejtuar organizatorëve. Ndër mesazhe kishte edhe fyerje grafike, kërcënime me vdekje, dhe thirrje për gjenocid dhe vetëvrasje për komunitetin LGBTI.
Kjo hasi në shok dhe zemërim tek publiku, sipas Braimit, por nuk ishte befasi pasi që aktivizmi për LGBTI ende është relativisht tabu në Kosovë.
Derisa 67 përqind e popullsisë LGBTI në Kosovë ndihet e diskriminuar, e me këtë pajtohen vetëm 11 përqind e popullsisë së përgjithshme, sipas një ankete të Instititit Kombëtar Demokratik në vitin 2015.
Edhe pas Paradës së Krenarisë të vitit të kaluar, shumë punëtorë në OJQ-të me fokus komunitetin LGBTI, druajnë se diskriminimi, madje edhe dhuna mund të ndodhin kurdo.
Mustafa, aktivist transgjinor, është një figurë relativisht/mjaft e njohur, dhe thotë se fama e tij e vogël mund të jetë duke e mbrojtur atë nga dhuna e më drejtpërdrejtë.
“Marr kërcënime dhe komente negative në rrjete sociale, por nuk jam përballur me sulm fizik ende – që u ka ndodhur disa aktivistëve tjerë LGBT,” sqaroi ai.
Edhe pse kohëve të fundit nuk janë publikuar raste të dhunës homofobe, Mustafa e kujtoi një incident në vitin 2012 ku disa persona, edhe pse jo të lënduar rëndë, ishin sulmuar nga një turmë e homofobëve me motive fetare pas një paneli për përfshirjen e edukatës seksuale për komunitetin LGBTI në Kosovë.
Ata që nuk janë të njohur sa ai, janë në rrezik më të madh. “Unë jam një nga fatlumët”, tha ai.
Veliu tha se pas paradës së vitit të kaluar, ka pasur shtim të komenteve negative të postuara on-line, disa nga të cilat u bënë pjesë e ekspozitës “Qe Pse!”. Edhe pse nuk janë shfaqur raste të dhunës ndërpersonale, Veliu ka vënë re një incident që ka ndodhur në DNKHT. “Një burrë i vjetër u mundua ta prishte ekspozitën”, tha ai “edhe pse ia arriti vetëm ta hedhte poshtë eksponatin”.
Në Kushtetutën e Kosovës, siç thekson Braimi, “popullata LGBTI specifikohet si komunitet i margjinalizuar”, i denjë për status të barabartë sipas ligjit. Por shumë ligje tjera në Kosovë – të cilat ajo beson se janë “anti-kushtetuese” – kanë pasoja materiale negative për personat me orientime seksuale dhe identitete gjinore të ndryshme.
Për shembull, Neni 14 i Ligjit për Familje e kufizon njohjen e martesës në partneritetet ndërmjet “dy personave të gjinive të ndryshme”, dhe ligji nuk e njeh ricaktimin e gjinisë për transgjinorët kosovarë.
Përmëtepër, sipas Braimit, ligjet që në teori e mbrojnë komunitetin LGBTI nga praktikat e diskriminimit jo gjithmonë mbrohen nga autoritetet. Një ligj i krimit të urrejtjes për të kodifikuar mbrojtje shtesë u refuzua nga Kuvendi vitin e kaluar. (Mund të paraqitet sërish në Kodin Civil në vitin 2018). “Pjesa ligjore është pak e ngatërruar”, e pranoi Braimi, duke shtuar se mund të flasë për orë të tëra dhe ende do të kishte tema për diskutim.
QBL ka rol këshillues në hartimin e legjislaturës së re për mbrojtjen e komunitetit LGBTI, por ajo dhe OJQ-të tjera po ashtu janë aktive në përpjekjet për ta formësuar mendimin publik.
Në këtë kontekst, Braimi përmendi anketën e vitit 2015 të IDK-së, nga e cila doli se vetëm 3 përqind e qytetarëve të Kosovës do ta mbështesnin pa rezerva një shok apo fqinj që i përket komunitetit LGBTI. (Një tjetër 8 përqindësh do t`i pranonin por prapë do t`i shmangeshin temës në bisedë, dhe 10 përqind e kosovarëve nuk dinin si të reagojnë. Trembëdhjetë përqind e kosovarëve pranuan se se do të ushtronin dhunë fizike ndaj një personi LGBTI që e njohin.)
Këto shifra janë shkak për urgjencë në vend, si për organizatat si QBL dhe për individët në komunitet. “Kur je homofob, nuk je vetja” është një mesazh që ka për qëllim mbrojtjen e komunitetit LGBTI nga lëndimi.
Braimi tha se përderisa çiftet homoseksuale nga jashtë tolerohen në Prishtinë, shumë çifte vendore stigmatizohen apo përjashtohen nga rrethi për shkak të deklarimit haptas si homoseksual apo biseksual. Dhe “të mos i përmendim vendet rurale”, ku organizatorët, në të shumtën të përqendruar në kryeqytetin e Kosovës, vetëm kohën e fundit kanë filluar ta zgjerojnë aktivitetin edhe atje.
Një rrjet i ri mbarë kombëtar, nën drejtimin e Mustafajt, synon lidhjen e organizatorëve dhe aktivistëve në të shtatë rajonet e Kosovës. “Jemi duke punuar në këtë rrjet ku duam të shkojmë në komuna të ndryshme”, tha Mustafa, tani koordinator në QBL, “që të mund të bëjmë përparim edhe në vendet tjera, jo vetëm në Prishtinë”.
Sipas Braimit, në përgjithësi këto rajone janë më konservative sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI sesa kryeqyteti. “Është pranuar se në Kosovë ka komunitet LGBTI”, sqaroi ajo, por ata shtyhen në margjinat e ndërdijes shoqërore, ku në të shumtën shfaqet dhuna homofobe.
Për Kosovën, arti i rrugës nuk ka gjasa që vetë ta zgjidhë homofobinë. Por në pyetjen nëse grafiti ishte shenjë pozitive për barazi për komunitetin LGBTI, aktivistët ishin optimistë.
“Në fakt, është”, tha Veliu. “Nga pikëpamja ime, e shoh si pozitive”. Përderisa organizatat nuk e arsyetojnë zyrtarisht grafitin, nuk mund t`i ndalojnë individët e komunitetit LGBTI që të ndjehen të fuqishëm që të bëjnë ashtu vetë. “Komuniteti po e fillon aktivizmin vetë.”
Mustafa fillimisht u mat, duke ripohuar se as ai as organizatat tjera nuk janë përgjegjës. Por pastaj, me një buzëqeshje, bëri një parashikim: “Për Kosovën, ky vit është viti i LGBT-së.”
Komuniteti LGBTI është në një pikë të rrezikshme në historinë e Kosovës, ku gjithçka mund të ndodhë. Por pa marrë parasysh, theksoi Braimi, njohja e homoseksualëve dhe e transgjinorëve tashmë është përhapur nëpër shoqërinë civile: “LGBTI është çdokund. Është çdokund”, shkruan kosovalive360.com./KultPlus.com
(Isaiah Raimey këtë verë është gazetar praktikant në KosovaLive, në bashkëpunim me Miami University në SHBA. Përktheu dhe përshtati: Liridona Berisha.)