20 Qershor, 2020 - 6:30 pm
Artisti hungarez Jozsef Szurcsik ka humbur katër shokë të tij për një periudhë të shkurtër si pasojë e virusit COVID-19, dhe dhimbja e tmerrshme e pikëllimi që ai ka ndier e kanë transformuar artin e tij.
Szurcsik, ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Hungarisë, është një nga artistët më me zë në artin bashkëkohor në vend. Gjithmonë ka provuar që të reflektojë mbi marrëdhëniet e shpirtit të njeriut dhe peizazhit në pikturat e tij shpeshherë surrealiste. Ka thënë se procesi i tij kreativ është ndikuar thellë nga dhimbja që ndien tani.
Më parë kishte pikturuar duke pasur një plan në mendje, por tani imazhet e kafkave, kokave që digjen dhe fytyrat e mërzitura krijohen rrjedhshëm nga brushat e tij. Ka thënë se pa qëllim, disa nga fytyrat në pikturat e tij reflektojnë tipare të atyre që ai ka humbur.
“Unë kisha katër shokë që ishin shumë të rëndësishëm për mua, janë katër njerëz që i kam humbur në një mënyrë shumë shokuese…Sikur kjo pandemi të mos shfaqej, ata do të ishin me ne edhe për një kohë të gjatë”, ka thënë ai.
Ende e ka të vështirë që të flasë për këtë. Një nga miqtë që ai ka humbur, nuk ishte as 40 vjeç.
Hungaria, e cila ka një popullsi me rreth 10 milionë banorë, ka regjistruar mbi 4 mijë raste me COVID-19, përfshirë 570 vdekje.
Szurcsik, që punon me teknika si grafi, litografi, e bën piktura me vaj dhe akrilik në pëlhurë, dhe po ashtu edhe skulptura, ka thënë se shëmbëlltyra e re e pikturave të tij po vepron si një lloj terapie. /Koha /KultPlus.com