19 Qershor, 2022 - 12:01 am
Ilir Muharremi, kritik i artit
Shpirti i mbyllur brenda burgut, i lirë më shpresë nga trupi, i ngopur me errësirë njeriu. Trupi i njeriut i shpërbërë përmes imazheve, rrudhat e tyre që reflektojnë vuajtje dhe ankth. Shputa të këmbëve, detaje të shuplakave të duarve, shprehin burgosjen, torturat, ankthin psikologjik të njerëzve gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri. Artisti Oltsen Gripshi në ekspozitën e tij personale “Errësirë” të hapur te Muzeu Kombëtar i Përgjimeve të Sigurimit të Shtetit “Shtëpia me Gjethe’’ ditë më parë, prezantoi vepra shumë interesante. Në tunelin e panjohur para viteve ’90, aty ku përgjoheshin dhe shkruheshin fatet e gjithkujt dhe për gjithçka, aty ku personalja e artistit bëhet univerzale me dhimbjen kolektive e cila si magmë ka shkoqur lëkura të shumë njerëzve, dhe më e veçanta është se artisti prezanton të afërmit e tij në këtë ekspozitë që ka kuratore Etleva Demollari.
Piktura, fotografia, video intalacione përmbajnë imazhe të dhimbshme por edhe të thella. Fotografitë janë konceptuale të reduktuara në ide e pastaj në imazh, fragment, kronologji dhe si një mozaik i shkapërderdhur. Shihet një autoportet i grisur në një fotografi bardhë e zi që përçon te spekatatori emocion estetik dhe ky është qëllim i artit konceptual. Pastaj vazhdon të të gëryej mendjen duke vendosur theksin logjik te tortura fizike, por edhe psikologjike. Vet arti koncpetual është art i revoltës, kohës, subjektit, analizës si dhe përfaqësim historik përmes shprehjeve postmoderne duke klithur e zhurmuar nga një errësirë e zymtë, vërtetë me një fasadë të pashpresë, ngjyrë gri , që shpirtin ta trazon dhe të bën të solidarizohesh me ato vuajtje dhe klithma që i kishin përjetuar familjarët e Gripshit.
Teksa përhumbem brenda thellësisë së tunelit, dhe lundroj nëpër intalacionet e varura që ta pengojnë ecjen, ndjejë një ankth përbrenda, një kthim nga vdekja, shijoj një liri, por shpirti im bredh nëpër këtë errësirë e cila duket boshe, por nuk është boshe. Qenia ime endet si siluetë nëpër muret gri, më shfaqen portretet e familijarëve të artistit të cilët ulërijnë, kërkojnë të rrëfejnë gjithçka, dhe duken si fantazma hijesh. Ata nuk janë vetëm siluetë e ruajtur e kohës, por materie e cila gjithmonë na përcjellë, sepse kush mund ta mohon të vdekurin, atëher mohon edhe jetën e tij. Në fillim ishte jeta, pastaj vdekja, ose të dyja kanë prapë raporte ndërmjet vete.
Kuptimi psikologjik i portreteve që i shpall front errësirës, mbetjeve që lë pas dhe nguliti në kujtesë regjimi komunist, duken të deformuara, jo të përqendruara, janë në lëvizje, ose nuk mund t’ia kapesh lëvizjen, e kjo lidhet me tramuën psikologjike që ja shkaktoi regjimi i asaj kohe. Një kërmill qëndron sipër. Kjo ma kujton dramën “Menaxheria e qelqtë” e Tenese Willimas, ku personazhi kryesor shpreh brishtësinë shpirtërore përmes figurave të vogla të qelqit që duken shumë të ndjeshme. E Ky kërmill prej qelqi krijon një kontrast, kontrapunkt shpirtëror ndaj gjithë kësaj stuhie dhe shtrëngate shpirtërore. “Për pasojë, vendosja e qenies njerëzore përballë errësirës (përballë gërmadhës që la pas regjimi komunist), do të zbulonte portrete njerëzore “të deformuara” nga një jetë e jetuar plot dhimbje fizike, trauma psikike, intriga dhe përgjime gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Nëse dëshira është monoliti i kënaqësisë, errësira është ngjyra e persekutimit dhe dhimbjes. Ndjesitë njerëzore janë pjesë përbërëse e mjedisit që i rrethon dhe si të tilla ato janë të pacaktuara, veçanërisht në lidhje me statusin e tyre ontologjik. Nuk dihet nëse ato duhet t’u atribuohen vetëm objekteve a mjedisit në të cilin gjenden, apo edhe subjekteve që i përjetojnë ato.” Shkruan në tekstin e ekspozitës vetë autori.
Albert Camus shkruan: “Lutja, thotë Alani, bëhet kur errësira zapton mendjen. Por duhet që mendja të takojë errësirën”. Kjo përgjigje më shumë do t’i shkonte mistikëve dhe ekzistencialistëve. Nuk është fjala për atë erresirën që krijohet kur mbyllim sytë. Errësira është më e vërtetë se vet mendja, por ballafaqimi ose kontakti ndërmjet të dyjave kërkon tejkalimin nga terri. Unë në këto punime shohë edhe natë polare, agim të mendjes, nga ku ndoshta ngrihet ajo ndritë e bardhë përmes 70 kanotiereve të papërlyer që vizaton çdo objekt në dritën e intelegjencës. Ky hop i errësirës për publikun intelegjentë është një kronologji historike që vetëm arti bën punën më të mirë, e jo historianët.
Përfshirja e vetes në errësirë, lundrimi nëpër arkivin e së kaluarës, vetëgjymtimi i autorit në këtë teatër absurd, bërja e vetportretit i prerë në fashë, i gjymtuar, marrjen e dhimbjes për vete, ai akomodohet me të, pastaj mbyllë sytë, lundron poshtë membranës së trurit aty te kujtesa, aty ku fle gjithçka dhe vepron asgjë.
Nga kjo histori, nga kjo errësirë, ai nxjerrë revolten personale, lirinë e tij dhe pasionin. Mirëpo, ndërgjegja ishte subjekti kryesor i kësaj ngjarje sepse vetë nostalgjia për ftesën e vdekjes dhe mundimeve shihet që e ngufatnin autorin. Gjithë ajo jetë, ajo traumë, ai fat, ajo përvojë nuk zëvendësohen kurrë.
“Në fund të fundit, e zeza është ngjyra më e ndritshme.” Shënon Gripshi. Kjo mund të jetë ngjyra e përjetësisë sonë… /KultPlus.com