16 Maj, 2023 - 5:00 pm
Në ceremoninë e çeljes së pavijonit shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, do të jenë protagonistë dy artistë me bazë në Bruksel: Lola Vera dhe Ali Ismail. Ata do të sjellin shpirtin e tyre magjepsës në pavijonin shqiptar. Kostumografia do të jetë e Miguel Peñaranda e cila do t’i vijë në ndihmë një performance e cila do e çojë spektatorin në një tjetër dimension kohor.
Në faqen online të pavijonit shqiptar janë ndarë foto të artistëve që do të jenë në ceremoninë e hapjes. Lola Vera është një balerinë dhe koreografe nga Argjentina. Kërkimet e saj bazohen në kryqëzimin e gjuhëve dhe është influencuar nga artet pamore dhe shkrimi. Ndërsa Ali Ismail vjen me një sfidë mes arkitekturës e baletit si dhe na fton të zbulojmë hapësirat dhe lëvizjet që formësojnë botën tonë.
Projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 18-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias është “Përsiatje të pakohë ose: Si mësojmë të jetojmë në realitete të sintetizuara.
Ky projekt është paraqitur nga një grup artistësh të rinj: Era Merkuri, (arkitekte dhe drejtuese e ekipit), nga Martin Gjoleka (arkitekt), Ani Marku (arkitekt) dhe Geraldo Prendushi (artist digjital).
Ekspozita e 18-të Ndërkombëtare e Arkitekturës, e cila do të zhvillohet nga 20 maji deri më 26 nëntor 2023 në Giardini, në Arsenale dhe në vende të ndryshme përreth Venecias, do të titullohet: Laboratori i së Ardhmes. / atsh / KultPlus.com