3 Nëntor, 2019 - 3:30 pm
Xhemile Hysenaj
Arti ndër vite është përdorur për qëllime të ndryshme, disa herë individuale e shpesh edhe për qëllime kolektive. Ku artistët përmes artit të tyre, kanë kontribuar ndaj shoqërisë në forma të ndryshme.
Ndërkaq, për një të mirë humanitare, sot në ambientin e Hotel Garden, u hap ekspozita grupore e disa artistëve kosovarë, e cila kishte qëllim humanitar, shkruan KultPlus.
Ekspozitën me një fjalim të shkurtër e hapi artisti, Hajrush Fazliu i cili u shpreh të jetë tejet falenderues ndaj organizatorëve të ekspozitës, për organizimin e një kauze të tillë.
”Ju falenderoj shumë që keni gjetur kohë të vini në këtë ditë pushimi, kjo hapsirë edhe pse një hapsirë jo profesionale për artin, por një ambient shumë i hapur i cili investon jo vetëm në kulturë por gjithnjë mundohet që mos t’i mbetet borxh Kosovës”, u shpreh ai për publikun e pranishëm.
Artistët pjesëmarrës, kishin sjellur dy ose tre punime të tyre, të cilat në hapësirën ekspozuese krijonin një frymë dhe një atmosferë të motivit të njejtë, mirëpo edhe ndaras dukej sikur flisnin në gjuhën e autorit të tyre.
Pjesëmarrës në këtë ekspozitë me veprat e tyre, ishin disa artistë të njohur kosovarë si: Mjellma Goranci, Zana Ramadani, Shqipe Kamberi, Blerta Surroi, Eliza Hoxha, Muhamet Ahmeti, Visar Mulliqi. Kushtrim Istrefi, Hajrush Fazliu dhe Musë Prelvukaj. Të cilët sot, veprat e tyre i kishin ekspozuar për qëllime humanitare, pasiqë nga shitja e veprave të tyre, fondet do të shkojnë në ndihmë të një artisti në nevojë. Për artistin nuk dihet saktë, pasiqë ai/ajo ka vendosur të qëndrojë anonim.
Çdo të dielë, një artist ftohet që gjatë tërë ditës të punoj në ambientin e Hotel Garden dhe të hollat e përfituara nga shitja e veprës së tij apo të saj, një pjesë shkojnë për bamirësi.
Burbuqe Bajraktari, menagjere e marketingut në Hotel Garden, e cila ishte marrur kryesisht me organizimin e ekspozitës, u shpreh shumë e kënaqur rreth bashkëpunimit me artistët dhe punimeve të tyre. ”Kjo ekspozitë mund të shihet edhe si një takim artistik, në mes të artistave tonë kosovarë. Bashkëpunimi me artistë ka shkuar shumë mirë, realizimi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme falë artistëve”, deklaroi ajo për KultPlus.
Artistja Mjellma Goranci, u shpreh shumë e kënaqur me realizim e kësaj ekspozite, pasiqë duke pasur parasysh faktin që fondet do të shkojnë në ndihmë të një artisti, ajo si pjesë e këtij komuniteti ndihej shumë mirë për këtë gjë.
”Unë kam qenë edhe pjesë e puntorisë këtu në Hotel Garden, ku kam punuar gjatë tërë ditës dhe e njoh këtë vend shumë mirë, sepse ky vend është shumë i lidhur me artin dhe është një ambient shumë inspirues për ne si artista. Ndërkaq, veprat e mia nuk kanë kohë, disa prej tyre i realizoj më shpejt disa më ngadalë”, shprehej ajo për KultPlus.
Ndërkaq, Hajrush Fazliu, jashtëzakonisht i kënaqur me realizimin e veprave të këtij komuniteti artistik, pjesë e të cilit është edhe ai, e quante artin si një shpirt të kombit.
E ndërsa mysafirët vëzhgonin pikturat, e njiheshin me artit e artistëve tanë kosovarë, në prapavijë argëtoheshin nga tingujt e këndshëm të violinës.
Ekspozita ishte nën organizimit e Hotel Garden, i cili ndodhet në Prishtinë dhe pritet të rrijë e hapur cdo ditë, nga ora 12 deri ne 18. Kohëzgjatja e saj nuk është konfirmuar akoma, mirëpo pritet të zgjasë disa ditë. /KultPlus.com