28 Prill, 2019 - 11:30 am
China Printmaking Museum Guanlan, organizon për të shtatën herë, Bienalin Internacional të grafikës e cila mbahet çdo dy vite në, Shenzhen – Kinë, përcjellë KultPlus.
Në këtë edicion të shtatë kanë konkurruar mbi 3000 artistë nga mbarë bota me 5475 punime.
Për të ekspozuar në këtë bienale, juria, e përbërë nga 13 anëtarë, ka punuar në dy faza të veçanta dhe ka përzgjedhur 300 artist nga mbarë bota, në mesin e të cilëve është edhe artisti nga Kosova Agim Salihu.
China International Graphic Biennial Guanlan – Shenzhen, është ngjarje që fitoi përkrahje të madhe nga artistët anembanë botës. Bienalja krijoi një mjedis të zëshëm për komunikim ndërkombëtarë, dhe shkëmbimet akademike të grafikes artistike në botë. Si një ekspozitë e përhershme, China Printmaking Museum, ofron një hapësirë të klasit të parë për përzgjedhjen dhe prezantimin e artistëve ndërkombëtarë në Bienale. Me përkrahjen dhe pjesëmarrjen e artistëve nga e mbarë bota, China International Graphic Biennial Guanlan, krijon shumë mrekulli dhe e shkruan një kapitull të ri të grafikes bashkëkohore botërore.
Ky është suksesi i radhës i artistit Agim Salihu pas suksesit në, Tokyo International Graphic Trienial, në vitin 2018 dhe 2015, ku veprat e tij janë në koleksionin e veprave kulminante në, Tama Art Museum Tokyo – Japoni, Adogi Tailer Fort Museum Cadaques, Barcelona etj. Gjatë tre viteve të fundit, Agim Salihu, është shpërblyer katër herë me çmimet e jurisë në ekspozita ndërkombëtare. / KultPlus.com