Artisti Burhan Ahmeti, pjesë e dy projekteve të mëdha në Stamboll dhe në Kinë

6 Shtator, 2017 - 6:09 pm

Piktori dhe grafisti shqiptar Burhan Ahmeti po ecën mjaft mirë në karrierën e tij profesionale. Ai është ftuar nga Universitetin Yildiz Teknik në Stamboll që të udhëheqë punëtorinë e grafikës artistike me ngjyra në kuadër të projektit Engravist që ka nisur dje, më 5 shtator dhe përfundon më 9 shtator. Për këtë gjë dhe jo vetëm ka njoftuar për KultPlus vetë artisti Ahmeti, i cili poashtu do të marrë pjesë në një aktivitet goxha të rëndësishëm të grafikës artistike në Kinë.

Për të dy këto projekte të rëndësishme në karrierën e Ahmetit, KultPlus, sjellë një rrëfim interesant duke shpalos detaje nga të dy projektet, si atë të Stambollit ashtu edhe të Kinës.

“Nga data 5-9 shtator të këtij viti jam i ftuar në Universitetin Yildiz Teknik në Stamboll si udhëheqës i punëtorisë së grafikës artistike me ngjyra, në kuadër të projektit Engravist. Ky projekt përfshin 8 workshope që do udhëhiqen nga profesorë të grafikës me renome nga Turqia dhe Maqedonia, ku secili profesor do të demonstrojë teknika të caktuara të grafikës. Unë jam caktuar që ta udhëheq grupin me diku 16 studentë dhe disa profesorë, ku pritet që gjatë atyre ditëve të punojmë bashkë disa teknika të grafikës me ngjyra, me shtyp të thellë dhe të lartë. Çdo workshop do ketë nga 10-16 studentë apo profesorë tjerë të interesuar”, ka treguar artisti, duke vazhduar tutje të thotë që shpreson se me njohuritë dhe përvojën e tij profesionale sadopak do t’iu ndihmojë studentëve dhe kolegëve të tij në Stamboll, njëherësh edhe duke shkëmbyer eksperiencat e tyre.

Pas këtij workshopi, i cili ka nisyr dje në Stamboll, Burhan Ahmeti do të jetë pjesë e aktivitetit tjetër të grafikës artistike në Kinë. Bëhet fjalë për një rezidencë të artit në Guanlan.

“Do jenë pjesëmarrës grafistë nga 20 shtete të botës, ku duhet të realizohen dy grafika me nga 50 ekzemplarë për çdo grafikë, ku dyzet kopje do iu mbeten organizatorëve ndërsa dhjetë kopje të realizuara për ne si autorë të grafikëve. Pastaj është paraparë kornizimi i grafikëve si dhe organizimi i ekspozitës dhe bienales ndërkombëtare të grafikës me katalog”, tregoi për KultPlus artisti.

Burhan Ahmeti në këtë aktivitet do të qëndrojë diku rreth tri javë për shkak të angazhimeve të tij si profesor në Shkup dhe pikërisht për këtë gjë organizatorët e këtij aktiviteti në Kinë, i kanë bërë ftesë tjetër speciale për vitin e ardhshëm në po të njëjtën qendër./ KultPlus.com

Të ngjajshme