Artisti Dardan Zhegrova me ekspozitë personale në Berlin

16 Shkurt, 2020 - 7:36 pm

Dardan Zhegrova ka hapur ekspozitën e tij personale në Berlin.

‘I’m Meeting A Hybrid Of Past And Now’ u hap me 14 shkurt në hapësirën FRAGILE në Berlin.

Zhegrova, për këtë ekspozitë ka krijuar një punë të re, kukulla më të mëdha në gjatësi bazuar në kukullat që përdoren zakonisht në teatër, plus edhe një incizim të ri zanor.

Puna e tillë vjen si inspirim prej Zhegrovës pasi si i vogël ai ka vizituar disa shfaqje me kukulla në Prishtinë, një praktikë kjo asokohe në Kosovën e Jugosllavisë mjaft e frekuentuar në Prishtinë.

Sikur edhe herave tjera, punët e Zhegrovës ngërthejnë poezinë dhe prodhimin e kukulla amorfe të mëdha, shkruan KultPlus.

Zhegrova paraqet personalitetin e tij por me anë të ekspozitës edhe e shpalosë veten dhe imagjinatën e tij gjatë fëmijërisë, derisa një element tjetër është takimi mes vetes dhe tjetrit në një botë të influencuar shumë prej internetit.

Në vitin 2016-të, Zhegrova bashkë me Lola Sylajn ishin fitues të çmimit ‘Artistët e së Nesërmes’ në Prishtinë, ndërsa Zhegrova me ekspozita është paraqitur edhe në Paris, Athinë, Tiranë, Cyrih e në qytete tjera evropiane.

Disa prej ekspozitave kolektive ku Zhegrova ka marrë pjesë janë: ‘Friend of a Friend, SVIT Gallery’ në Pragë, ‘I travelled the world and the seven seas’ në Antwerp, ‘I kissed your kiss on your girlfriend’s cheek, it was still wet’ në Lisbonë, e ekspozita tjera. / KultPlus.com

Të ngjajshme